Sport

LAJMI I FUNDIT: Klubi i Dritës vjen me një ide të veçantë për zhvillimin e Superkupës së Kosovës

Autori: Erion Maliqaj 22:38 | 17 December 2020

Ndeshja finale e Superkupës së Kosovës në futboll për vitin 2020 ndërmjet Dritës si kampione e Superligës dhe Prishtinës si fituese e Kupës mund të zhvillohet në Antalia të Turqisë, shkruan Gazeta inFokus.

Kjo finale do duhej të ishte luajtur në muaj gusht, por për shkak të pandemisë botërore ‘Covid-19’ është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Nisja e Superligës me vonesë dhe zhvillimi i kampionatit me ritëm të shpejtë ka pamundësuar që kjo sfidë të luhej pas muajit gusht.

-Advertisement-

Megjithatë, tashmë klubi i Dritës ka ardhur me një ide të veçantë për zhvillimin e finales së Superkupës së Kosovës.

Drejtori sportiv i klubit të Dritës, Valon Zymberi, në një prononcim për Gazetën inFokus ka zbuluar se ka qenë ideja e tyre që përballja finale me Prishtinën të luhet në Turqi.

Ai ka thënë se kjo do të ishte e mirë për futbollin e Kosovës dhe se një praktikë të tillë e përdorin edhe shtetet si Spanja.

Zymberi UEFA ka qenë për zhvillimin e ndeshjes, por vendimi i tyre ka rënë desh me ato të Zvicrës - inFokus

“Duke parë vonesën e Superligës dhe orarin e ngjeshur të ndeshjeve në kampionat, gjithashtu ndeshjet ndërkombëtare që klubi i jonë ‘Drita’ kishte në program, e për shkak të pandemisë ndeshja finale e Superkupës së Kosovës ka mbetur çështje e pazgjidhur”

“Ne si klub me tu kthyer nga ndeshjet ndërkombëtare kemi pasur ide që Superkupa e Kosovës mund të luhet vetëm gjatë fazës përgatitore për stinorin pranveror, ku klubet tona i zhvillojnë në Turqi”

“Kjo do të ishte një kohë e përshtatshme si për ne ashtu edhe për klubin e Prishtinës, sepse do të jetë një reklamë e mirë edhe për futbollin kosovar dhe futbollistët tanë, sepse dihet që shumë agjent të klubeve me renome do të jenë në Turqi dhe do ta përcillnin futbollin tonë”

“Mendoj që FFK do të jetë e gatshme që për 3-4 ditë të mbuloj shpenzimet e ekipeve dhe organizmit të Superkupës, në mënyrë që të paraqes nivelin e futbollit kosovar jashtë vendit”

“Këto praktika i përdorin vendet më të zhvilluara të futbollit, si për shembull Spanja Superkupën e zhvillon në Kinë për arsye të promovimit të futbollit spanjoll, pse të mos bëhemi edhe ne model për rajonin e Ballkanit”, ka deklaruar Valon Zymberi për Gazetën inFokus.

Sezonin e kaluar Superkupën e Kosovës e ka fituar Feronikeli pa luajtur fare, pasi kishte triumfuar edhe në Superligë edhe në Kupë./Gazeta inFokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera