Lajme

Përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi? Zbulohet skenari i frikshëm

Autori: Gazeta inFokus 09:34 | 19 May 2020

Rusia ditë më parë e ka bërë të ditur kërkesën se dëshiron të marrë pjesë në dialogun Kosovë – Serbi, nëse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhen pjesë e saj.

Lidhur me këtë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka thënë sot se përfshirja e mundshme e Rusisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte një kthim prapa në hapa.

“Në vitin 2010 kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka vendosur se si të procedohet me dialogun Kosovë-Serbi absolutisht e ka përjashtuar një format ku edhe Rusia do të merrte pjesë, siç ka qenë formati i Trojkës. Nëse kthehemi prapë në formate ku Rusia ka zë dhe rol aq sa ka pasë para Pavarësisë së Kosovës kthehemi prapa. Kthehemi prapa edhe politikisht, jo vetëm në aspektin teknik të formatit”, ka thënë Osmani.

-Advertisement-

E, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, është jetik për Kosovën, por jo edhe për Serbinë e cila, sipas tij, është në një ofensivë diplomatike pas stërkeqjes dhe shkarjeve në bisedime nga ana e palës së Kosovës dhe kryesisht e Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Rama me Vuçiqin në lidhje me temën e ndryshimit të kufijve, alias të ndarjes së Kosovës.

Ai gjithashtu konsideron se skenari i Rusisë është që kjo e fundit po tenton ta kthejë ndikimin e saj në Ballkan.

“Dialogu duhet të jetë i mirë përgatitur, me një platformë të qartë dhe me një ekip nacional-shtetëror, gjithëpërfshirës, në krye të të cilit duhet të jetë Kryeministri i Kosovës, por ku edhe roli kushtetues i Presidentit duhet të respektohet. Këtë vit, mund të kemi përafrim dhe konturim të një marrëveshje, gjë që është mjaftë pozitive, por jo edhe marrëveshje me njohje reciproke, që është edhe thelbi dhe esenca e një marrëveshje në mes të palëve; Kosovë-Serbi”, është shprehur Bajraj.

Me tej, Bajraj potencon se vazhdimi i ç’njohjeve të shtetësisë së Kosovës, si rezultat i ofensivës serbe e vë vendin në një pozicion regresiv dhe degradues, pozicion nga i cili duhet të dilet doemos, por jo me çfarëdo çmimi.

“Insistimi amerikan në një marrëveshje të shpejt dhe e cila presupozon njohjen reciproke, e vë me shpatulla për muri Serbinë, e cila është e interesuar që në dialog me Kosovën, t’a ri-kthej çështjen e statusit të Kosovës, i cili është rrumbullakuar në procesin negociator të Vjenës dhe me legjitimimin që i dha vlerësimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, pas kërkesës së Serbisë për vlerëshmerinë e aktit të shpalljes së Pavarësisë së koordinuar të Kosovës më 17 shkurt 2008. Kyçja e drejtpërdrejtë e administratës se Presidentit Trump në dialogun Kosovë -Serbi, dhe emërimi i emisarit special për dialogun, ambasadorit Richard Grenell, është avantazh dhe favor i madh në dobi të Kosovës, kur kihet parasysh se SHBA-të, janë sponsor dhe kretor unik të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, gjë që s’ishte rasti deri me tani në bisedimet e Brukselit”, ka thënë ai.

Ai konsideron se një marrëveshje përfundimtare dhe me njohje reciproke, përkundër vullnetit dhe gatishmërisë sonë dhe palës amerikane, në kontekstin aktual, gjeo-politik dhe gjeo-strategjik, është e pamundur edhe për faktin se në Serbi, ende nuk ka gatishmëri që ta njohin realitetin e një Kosove të lirë dhe të pavarur.

Tutje, ai shton se Serbia është shumë e interesuar që në këtë proces të involvohet dhe të ketë peshë, edhe Federata Ruse për interesat e saja në ish Republikat Sovjetike dhe për vetë faktin e ndikimit dhe shtrirjes së influencës në Ballkan.

“Ky fakt, nuk i shkon përshtati Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të saj në BE, por fakti dhe fati është që, pa SHBA-të dhe kundër saj, asnjë zgjidhje për Kosovën dhe Ballkanin nuk mund të gjendët dhe të jetë e pranueshme për palët. Serbia është shumë e interesuar që në këtë proces të involvohet dhe të ketë peshë, edhe Federata Ruse, gjë që kjo e fundit , për interesat e saja në ish Republikat Sovjetike dhe për vetë faktin e ndikimit dhe shtrirjes së influencës në Ballkan, është e interesuar që çështja e Kosovës të mbetet e hapur dhe e pa zgjidhur edhe për shumë kohë, derisa të akomodohen intersat Ruso-Serbe, ambiciet e të cilave janë ende prezente. Kosova dhe Qeveria e re, në krye me Kryemnistrin Hoti, nuk dihet të pranojë Rusinë si pjesë të dialogut me Serbinë, ngase Rusia nuk ka asnjë kontribut pozitiv në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, përkundrazi”, potencon ai.

Në fund, ai thekson se qeveria e Kosovës, si asnjëherë tjetër, duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe me konstruktivitetin dhe qasjen ndaj dialogut, ta zhvesh destruktivitetin e palës serbe, për çfarë kjo e fundit do paguante tagrin e dështimit në tavolinë, ngjashëm sikur në Rambuje, Paris dhe Vjenë.

“Megjithatë, efekti pozitiv i një dialogu të drejtuar formalisht nga BE-ja dhe me patronatin e kujdesin enorm të SHBA-ve, dhe pa Rusinë si pjesë të dialogut, ndihmon Kosovën dhe e nxjerrë në sipërfaqe pagatishmërinë e Serbisë për një dialog konstruktiv dhe ku palët respektive janë të barabarta. Dialogu dhe gatishmëria e Kosovës për një marrëveshje me njohje reciproke, i nxjerrë në dritë të diellit dhe qëllimet djallëzore të Serbisë si palë, dhe benefitet e një dështimi eventual, do merrte pala e Kosovës, derisa Serbia në anën tjetër, do ndëshkohej nga BE-ja dhe SHBA-të në krye të procesit”, ka përfunduar analisti politik, Fatmir Bajraj, për “Bota sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera