77 vjet nga masakra e Tivarit
Autori: Gazeta inFokus 07:20 | 30 March 2022
Sot mbushen 77 vjet nga masakra më e madhe e kryer ndaj shqiptarëve në Tivar, e cila ndodhi më 30 mars 1945.
Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë.
Populli shqiptar, i gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe shpresonte për lirinë e fituar në luftë me gjak. Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar e realizuar masakra masive kudo.
Pranvera e atij viti kishte ardhur e zezë si nata, skëterrë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë.
Në dimrin e ftohtë të vitit 1945 “çlirimtarët” jugosllavë iu kishin vërsulur nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për t’i gëlltitur ato. Kurse, për ta bërë gllabërimin më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhet, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.
Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm edhe dhjetëra-mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar në frontet e luftës në Dalmaci, Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se në frontet e luftës, në muajt mars – prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazezë kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët – rekrutët duarthatë shqiptarë.
Regjimi serb – jugosllav më 8 shkurt 1945 vetëm në Kosovë kishte vendosur administratë ushtarake, e cila udhëhiqej plotësisht nga ushtarakët serbo – malazezë. Me urdhër të veçantë të kreut ushtarak jugosllav, kishte filluar edhe mobilizimin e dhunshëm të shqiptarëve. Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë; një pjesë u dërgua në Frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në Frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë). Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, ku u çarmatosën dhe ku u ndanë në eshalonë e njësi tjera ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrës, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë. Gjatë rrugës këmbë e nëpër të ftohtë, pa ushqim dhe duke mos lejuar ta shuanin etjen, u vranë disa qindra ushtarë shqiptarë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve – rekrutë shqiptarë.
Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngulfatjes me gaz helmues, në Dubrovnik, janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në Trogir, në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, Dubrovnikut e Trogirit, asnjëherë nuk është mësuar.
Politika e pushtet mbajtësve të rinj serbë – jugosllavë nuk ndryshonte thuajse aspak nga politika shfarosëse e regjimeve serbe të paraluftës. Shqiptarët akuzoheshin padrejtësisht. Ndaj tyre udhëheqja politike e ushtarake serbe, malazeze e maqedonase kishte krijuar një qëndrim tendencioz dhe disponim thellësisht armiqësor, që reflektonte më vonë, gjatë të gjitha zhvillimeve politike për Kosovën, me veprime të padrejta, me veprime shoviniste e fashiste; duke e “zhvlerësuar” Rezolutën e Bujanit, duke vendosur administratë ushtarake, duke e manipuluar e dhunuar votën në Konferencën e Prizrenit, duke dërguar në Kosovë njësi ushtarake nga Serbia e nga Maqedonia për të bërë krime, duke e çarmatosur popullsinë vendore, duke bërë arrestime të shumta, duke hapur dosje për secilin intelektual dhe shqiptar patriot, duke i eliminuar shqiptarët nga pushteti dhe administrata, duke e bërë mobilizimin e dhunshëm vetëm të shqiptarëve, duke masakruar ushtarët – rekrutët e mobilizuar, por edhe popullsinë duarthatë, duke i dërguar shqiptarët nëpër frontet e luftës jashtë Kosovës e për t’i përdorur ata si “mish për top”, duke i detyruar të shpërnguleshin në Turqi.
Ishte thënë se mobilizimi po bëhej për plotësimin e njësive ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë për pjesëmarrje në operacionet çlirimtare. Por, të mobilizuarit shqiptarë nga Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë nuk u dërguan në frontet e luftës, as në operacionet për çlirimin e Jugosllavisë.
Ata, në vend se në frontet e luftës, u vranë nga eprorët e tyre, nga komanduesit e tyre, duke përjetuar golgotën e vuajtjeve të pambarim e të vrasjeve të pashembullta në histori, si gjatë rrugëtimit “për në frontet e luftës”, ashtu edhe në vendet (e planifikuara) për vrasjen masive të tyre.
Të mobilizuarit shqiptarë – rekrutët e çarmatosur kishin mbetur rrugëve, kishin mbetur nën komandën dhe nën mëshirën e eprorëve dhe të ushtarëve serbë.
Ata ishin të këputur e të lodhur, të uritur e të etshëm, pa ushqim, pa kujdes dhe në kushte tepër të vështira. Prandaj, vrasjet masive në Tivar, Dubrovnik e Trogir kishin përmasa të krimeve të papara e tepër monstruoze, kishin përmasa të masakrave e të gjenocidit.
Këto vrasje nuk mund të cilësohen ndryshe, pos si shfryrje të epsheve shoviniste e fashiste të kreut ushtarak e politik jugosllav, e veçanërisht të kreut serb, malazez dhe maqedonas, përgjegjës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve tragjike.
Të tjera
-
Sarrazin i kërkon Qeverisë t’i heq masat ndaj mallrave serbe, flet për pasoja të rënda në rast të refuzimit
Manuel Sarrazin, emisar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor ka bërë një ana...
-
Gjermania hap dyert për 250 mijë emigrantë të këtij vendi
Gjermania do të hapë dyert për 250 mijë punëtorë kenianë të kualifikuar dhe g...
-
“Qëllimi jonë është Islamizimi i Kosovës e Preshevës. Unë nuk jam shqiptar”, hoxha nga Sanxhaku me deklaratë të rrezikshme
Një hoxhë nga Sanxhaku, që flet shqip ka mbajtur sot një tubim në Luginën e P...
-
Lista preliminare e provimit për prokurorë të shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës shpall listën preliminare të provimit të kandi...
-
REL: Kosova dhe Serbia kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 17 shtatorit
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian kanë thënë se presin që ...
-
Ra nga kati i tretë i objektit ku punonte, vdes 48 vjeçari në Prizren
Një person ka vdekur sot në vendin e tij të punës. Rasti ka ndodhur në Pri...
-
Parlamentari serb: Vuçiq shpalli kapitullimin në Kosovë
Deputeti opozitar në Parlamentin e Serbisë, Zdravko Ponosh, ka reaguar pas ko...
-
Haziri pas konferencës së Vuçiqit: Kosova mos të bie në hendekun e Serbisë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas konferencës që mbajti pres...
-
Incidenti në veri, kthehen afishet, tash pro-Radoiçiqit
Sikur fotografia, me kujdes janë zgjedhur edhe fjalët. Kryeterroristit Mil...
-
Kurti me videolidhje pjesë e panelit ku ishte edhe Lajçak – akuza Vuçiqit se e përdor Kosovën dhe Bosnjën për të siguruar lëshime nga Perëndimi
Gjatë paradites së 13 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vide...
-
Përkundër që ndau rrugët me Vetëvendosjen, Fatmir Humolli përkrah qeverisë për veriun
Deputeti Fatmir Humolli ka një kohë që i ka ndarë rrugët me Lëvizjes Vetëvend...
-
I gjenden 13 rẹvole, fishẹkë dhe një arṃë e gjatë, arrestohet i dyshuari në Viti
I gjenden 13 revole, fishekë dhe një armë e gjatë, arrestohet i dyshuari në V...