Lajme

2024-ta – viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, më i ftohti në shtatë vitet e fundit

Autori: Gazeta inFokus 13:19 | 01 January 2025

Viti 2024 ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, ndërkaq ky dimër më i ftohti në shtatë vitet e fundit.

Kështu bëri të ditur Sherif Gosalci, menaxher i Departamentit Meteorologjik pranë ASHNA-së, i cili për Klankosova.tv u shpreh se vera ishte me temperatura mesatare që thyen të gjitha rekordet e deritanishme, duke u përshkuar sipas tij, me pesë valë të të nxehtit.

“Viti 2024 ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, dimri më i ftohti në shtatë vitet e fundit. Ashtu siç ishte parashikuar dhe vërtetuar edhe nga vrojtimet meteorologjike dhe analizat klimatologjike, viti 2024 në nivel global do të jetë viti më i nxehti i regjistruar prej kur ekzistojnë matjet meteorologjike”.

-Advertisement-

“Një situatë e ngjashme nga matjet e deritanishme të prezantuara, ka mbizotëruar edhe në Gadishullin Ballkanik ku bën pjesë edhe vendi ynë. Pas pranverës së lagësht e me reshje porse të ngrohtë në përgjithësi, kishim një verë me temperatura mesatare që thyen të gjitha rekordet e gjertanishme, duke u përshkuar madje me pesë valë të të nxehtit (mbi 30 gradë Celsius)”, është shprehur ai.

Gosalci gjithashtu theksoi se muaji nëntor i këtij viti ka qenë më i ftohti në në 14 vitet e fundit, derisa dha disa informacione edhe për muajin e fundit të vitit.

“Muajt e vjeshtës shënuan temperatura mbi mesataret përsëri, porse muaji nëntor ishte më i ftohti në 14 vitet e fundit, ndërsa dhjetori, përkundër mesatareve të larta në pjesën e dytë u shënua me kushte tipike dimërore dhe me reshje të shumta shiu e bore”, tha Gosalci për Klankosova.tv.

Dhjetori është muaji, pjesa më e madhe e të cilit kalohet duke u përgatitur për festa, derisa ditët e fundit të tij, festohet.

Edhe për këto ditë të rëndësishme për qytetarët, menaxheri i Departamentit Meteorologjik të ASHNA-së tregoi temperaturat që do të mbretërojnë.

“Ditët e fundit të këtij fundviti do të jenë kryesisht të qeta sa i përket reshjeve, me temperaturat deri në -08 gradë Celsius minimalet dhe deri në 04 gradë Celsius maksimalet, ku përveç rrezeve të diellit, do të kemi prezencë të theksuar edhe të mjegullës në viset e rrafshta”, u shpreh ai.

Por, duket se me reshjet e borës dhe acarit do të përballemi në javën e dytë të muajit të parë të vitit 2025.

“Ditët e para të janarit do të fillojnë në kontinuitet me fundit e dhjetorit, gjersa java e dytë e janarit mund të shoqërohet me reshje bore dhe acar, si rrjedhojë e zbritjeve polare që do të përshkojnë pjesën më të madhe të kontinentit evropian”.

“Në përgjithësi, sipas parashikimeve afatmesme modelare, pritet që muajt janar dhe shkurt të shoqërohen me reshje të shumta – kryesisht të borës dhe temperatura të ulëta në kondita normale të mesatareve”, përfundoi Gosalci për Klankosova.tv.

Se vera ishte e thatë, por edhe se reshjet që ndodhën ditëve të fundit tek ne, ishin të mirëseardhura, tha edhe Sami Stagova, menaxher programi nga “Gjethi”.

Ai për Klankosova.tv tha se ato janë të mirëseardhura për natyrën dhe për ekosistemet e ujërave të pastra.

“Përderisa natyra iu është përshtatur klimës e cila mbretëron te ne dhe me këtë edhe temperaturave për disa grade nën zero që filluan në dhjetor, reshjet aktuale si pasojë e këtyre ndryshimeve të motit janë më se të mirëseardhura pas një vere të thatë të 2024-tës. Janë të mirëseardhura për vet natyrën dhe për ekosistemet e ujërave të pastra nga i cili furnizohemi me ujë edhe shoqëria jonë kosovare për nevoja të ndryshme (ujësjellës/ sanitacion, ujitje, industri, etj.)”, u shpreh ai.

Mirëpo, Stagova foli edhe për një ndikim tjetër të reshjeve, që sipas tij, kanë vështirësuar mirëmbajtjen e infrastrukturës së përgjithshme duke përfshirë edhe infrastrukturën mjedisore si hapësirat e hapura publike.

“Në anën tjetër, reshjet kanë vështirësuar mirëmbajtjen e infrastrukturës së përgjithshme duke përfshirë edhe infrastrukturën mjedisore si hapësirat e hapura publike (parqet, hapësirat e gjelbra, shtigjet për këmbësorë dhe biçiklistë, trotuaret dhe të ngjashme). Prioritet tek ne mbetet heqja e borës dhe mirëmbajtja e rrugëve për lëvizshmëri motorike, ndërsa hapësirat e hapura janë të fundit për t’u trajtuar dhe rrallë ndodhë që ato të pastrohen, që si rezultat sjellë vështirësinë apo pamundësinë e shfrytëzimit të tyre kur ka reshje bore”, u shpreh ai.

Stagova theksoi poashtu se shërbimet sociale si ngrohja dhe menaxhimi i mbeturinave sipas tij, edhe ashtu të cenueshme, gjatë temperaturave të ulëta dhe reshjeve vështirësohen duke ndikuar negativisht në mjedis me eksternaljet e tyre.

“Ditëve të fundit, me uljen e temperaturave, ngrohja e hapësirave shtëpiake, të bizneseve dhe administrative është bërë më intensive duke rezultuar me shfrytëzim më të madh të energjisë për ngrohje. Si burime kryesore të energjisë ngrohëse te ne mbeten energjia elektrike që në Kosovë rreth 90% gjenerohet nga djegia e thëngjillit (1) dhe djegiet e vogla individuale të peletit, thëngjillit dhe drurit (2). Sipas raporteve zyrtare nga AMMK është vërtetuar se të gjitha këto djegie shkaktojnë ndotje serioze të ajrit (e shtuar gjatë kësaj kohe) ndërsa për këtë të fundit edhe shkatërrim i pyjeve”, u shpreh ai.

Menaxheri i programit në“Gjethi” përfundoi se reshjet kanë vështirësuar edhe lëvizjen nëpër rrugët e pamirëmbajtura mirë, posaçërisht siç tha ai, në zonat malore.

“Reshjet kanë vështirësuar lëvizjen e nëpër rrugët e pa mirëmbajtura mirë, posaçërisht në zonat malore. Sipas informatave, kjo ka bërë që edhe shërbimi i menaxhimit të mbeturinave të mos funksionoj si duhet nëpër këto zona për arsye se kamionit e mbeturinave nuk kanë mundur të kenë qasje normale. Kjo potencialisht mundë të sjellë hedhje ilegale të shtuar të mbeturinave të cilat do ti shohim më mirë kur të shkrijë bora”, theksoi Stagova.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera