1958 ditë
Autori: Gazeta inFokus 12:29 | 20 March 2018
Gjithçka nisi para 5 vjetëve.
Që prej 7 nëntorit të 2012-ës, kur u zhvillua takimi i parë i dy komisioneve, Demarkacioni u bë temë për institucionet kosovare.
Ndërsa që prej 967 ditësh, nga dita e nënshkrimit të saj, marrëveshja e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi u bë çështje kryesore për gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan Infokusi.com.
26 gushti i 2015-ës, është data kur Hashim Thaçi e nënshkroi edhe zyrtarisht në Vjenë Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror me Malin e Zi. Dëshmitar gjatë nënshkrimit të këtij akti, pas vetes ai kishte ish Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.
Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, që prej se kjo marrëveshje është nënshkruar, ende nuk ka arritur që të marrë votat e nevojshme nga deputetët për të kaluar në Kuvend, shkruan Infokusi.
Kundër Marrëveshjes së nënshkruar nga Thaçi, ishin rreshtuar fillimisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovë. Për të kundërshtuar këtë marrëveshje kishin bërë shumë zhurmë.
Kishin filluar duke gjuajtur me vezë në drejtim të kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa e duke përfunduar tek hedhja e gazit lotsjellës, ujit e shisheve të ndryshme në drejtim të anëtarëve të Qeverisë, deputetëve të koalicionit qeverisës e Policisë së Kosovës që ishin ftuar për të ofruar siguri për mbarëvajtjen e seancave plenare.
Kundërshtimet e tyre nuk kishin përfunduar me kaq. Bojkotimi I seancave të Kuvendit ishte pjesë e kundërshtimit të kësaj Marrëveshje por edhe asaj të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.
Madje ishin mbajtur edhe protesta të mëdha e të dhunshme, ku edhe ishin arrestuar e dënuar deputetë e aktivistë nën dyshimin për veprime joligjore.
Për partitë që kundërshtonin Demarkacioni, sheshi “Skënderbeu” ishte bërë vendi kryesor. Pas protestave, ata kishin vendosur të qëndronin në tenda deri sa Policia e Kosovës i kishte larguar prej aty.
Krejt këto për ta kundërshtuar Demarkacionin dhe Asociacionin.
Kryeministri Ramush Haradinaj, që mandatin e kaluar ishte në opozitë, kishte dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, pikërisht pse kundërshtimet e tij për Marrëveshjen e Demarkacionit ishin injoruar nga siç i kishte quajtur ai atëherë, uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit.
“…Konsideroj se Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk është më një institucion demokratik dhe rrjedhimisht unë nuk e shoh vetën më pjesë të kësaj legjislature”, kishte thënë Haradinaj në ditën e dorëheqjes.
Pas dy vite e gjysmë, i njëjti që e kishte nënshkruar Marrëveshjen për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi në Vjenë, më 16 shkurt shpalosi një marrëveshje me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviq. Marrëveshje që nga politikanët po quhet deklaratë të përbashkët e dy Presidentëve.
Në këtë “deklaratë të përbashkët”, thuhej që palët janë pajtuar që ratifikojnë këtë marrëveshje dhe pas kësaj, një trup i përbashkët punues do të rishikoj dhe korrektoj në mënyrë specifike sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit, dy prej pikave më kontestuese nga pala kosovare se po mbesin andej kufirt, e do duhej të ishin këndej.
Por, as kjo marrëveshje nuk po gjen përkrahjen e të gjitha partive në vend. Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon ta kundërshtojë këtë marrëveshje e Lista Serbe nuk është deklaruar ende zyrtarisht nëse do të votojë pro kësaj marrëveshje.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, nënshkrimin e kësaj marrëveshje nga Presidenti Thaçi po e quajnë tradhti, gjersa kanë bërë edhe kallzim penal ndaj tij për “tradhti ndaj vendit”.
E ai që e kundërshtonte dikur këtë marrëveshje fuqishëm, tani nuk po bën shumë zë. Kryeministri Ramush Haradinaj e ka “pranuar” marrëveshjen me raportin e Murat Mehës, të cilin dikur e kishte quajtur “peder” dhe ia kishte përplasur një hartë në fytyrë. Por, këtë vendim Haradinaj e morri vetëm pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët të Presidentëve.
Përveç për këtë marrëveshje, ai i ra pishman edhe për Projektligjin e Demarkacionit që përveç Marrëveshjes përmban edhe 2 pika tjera.
Sapo erdhi në krye të ekzekutivit, ai shkarkoi komisionin shtetëror në krye me Murah Mehën, për ta zëvendësuar me Shpejtim Bulliqin. Ky i fundit mbështetës i kauzës së Haradinajt, se Kosova po humbet territor.
E pjesë e projektligjit, përveç Marrëveshjes dhe deklaratës së presidentëve, Qeveria kishte vendosur ta fuste edhe raportin e komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.
Sapo menduan se u zgjidhë çështja, partia që u rrëzua nga pushteti pikërisht për Demarkacion, vendosi kushte të reja.
LDK-ja kërkonte që t’i shtohej pjesa “Orientim”, që sipas tyre do kuptohej që në të ardhmen grupi punues do ta përdorë si orientim raportin e Bulliqit. Haradinaj ishte ‘betuar’ se s’do ta lejojë këtë, mirëpo 24 orë më pas, përmes një konference për media, ai njoftoi se ka pranuar propozimin e LDK-së.
Por, edhe pse u thirrë seanca, edhe pas tri tentativa, Kuvendi ende nuk i ka arritur votat e mjaftueshme.
Hera e katërt kur kjo marrëveshja do të hidhet në votim është e marta. Në orën 16:00 pritet të fillojë seanca kur do të votohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.
Por, se a i kanë votat ende nuk dihet.
Pavarësisht se vazhdimi i seancës për ratifikimin e Demarkacionit është thirrur për sot në orën 16:00, koalicioni qeverisës ende nuk ka bërë të ditur ndonjë marrëveshje të arritur me deputetët apo me partitë që janë kundër Demarkacionit, e cila do të çonte drejt ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit.
Ndryshe, për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje, nevojiten 80 vota të deputetëve apo dy të tretat e numrit të tërësishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në rast se marrëveshja me Malin e Zi votohet atëherë shteti i Kosovës plotëson njërin nga kushtet e vetme të mbetura për lëvizje të lirë të qytetarëve. Nëse marrëveshja votohet këtë të martë qytetarët e Kosovës pritet që në qershor ose në shtator të këtij viti, ta marrin dritën e gjelbër për liberalizim vizash./ (Arjeta Shabani)/INFOKUSI/.
Të tjera
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...
-
Nuredin Lushtaku, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se koalicionit i është bashkuar l...
-
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada dhe...
-
“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të lirohen nga paraburgimi pas disa muajve”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Seli...
-
Haziri takim me qytetarët: Gjilani e Anamorava janë kryengritë për ndyshim, LDK, besë dhe shpresë për Kosovën
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...