Lajme

1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për falsifikim të tenderit mbi 800 mijë euro për renovimin e objektit të PSRKS-së

Autori: Gazeta inFokus 14:20 | 10 October 2022

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, Tahir Sopën, për vepër penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, akuzohej se me dokument të falsifikuar kishte fituar tender mbi 800 mijë euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Sipas këtij aktgjykimi, në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.

Kurse, dënimin e shqiptuar me gjobë, i akuzuari mund ta paguajë deri në tre këste.

Nëse dënimi i shqiptuar me të holla nuk mund të ekzekutohet, gjykata do t’i caktojë të dënuarit dënim me burgim, duke e llogaritur shumën prej 20 euro për një ditë burgimi.

Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit Sopa i ndalohet edhe marrja pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik, në kohëzgjatje prej një viti, pasi që ky aktgjykim të marrë formën e prerë.

Gjykatësi Foniqi deklaroi se për këtë vendim, trupi gjykues ka vlerësuar edhe pranimin e fajit nga i akuzuari për letër-përkrahjen e falsifikuar.

Sopa u detyrua që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 200 euro dhe 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese, brenda afatit prej 15 ditësh pasi që ta pranojnë aktgjykimin.

Ndryshe, më 26 nëntor 2021, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Naser Foniqi, e kishte dërguar këtë rast në Departamentin e Përgjithshëm, por që më tutje ishte vendosur që kompetent për ta trajtuar këtë rast është Departamenti i Krimeve të Rënda.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 korrik 2021, Tahir Sopa më 12 dhjetor 2019, në cilësinë e përfaqësuesit të firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, kishte prezantuar dokument të falsifikuar për të fituar tenderin në vlerë mbi 800 mijë euro, për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se të dyja këto firma, përfaqësuesi i të cilave ka qenë i akuzuari Sopa kishin aplikuar në tenderin e shpallur nga autoriteti kontraktues, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe se njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë eurove në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sopa kishte prezantuar letër-përkrahje të lëshuar kinse nga NLB Banka për përkrahjen e kompanisë “NBT ING SHPK” për garancion bankar në vlerë 200 mijë euro, e cila letër-përkrahje ka rezultuar si e falsifikuar.

Për këto veprime, Sopa ngarkohej se me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik duke paraqitur dokumentacion të rrejshëm, me anë të cilit është shpallur fitues i tenderit në vlerë 811 mijë e 372 euro e 13 centë, me këtë rast i kishte shkaktar dëm buxhetit të KPK-së.

Sopa ngarkohej me veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, paragrafi 3, i Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera