Lajme

1 muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Podujevë

Autori: Gazeta inFokus 16:34 | 13 September 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit A.S, i dyshuar për vrasjen që ndodhi të hënën në Podujevë.

Për të njëjtin ekziston dyshimi se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, thuhet në komunikatën për media të gjykatës.

-Advertisement-

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë ditës së martë ka konfirmuar se është bastisur shtëpia e të dyshuarit me inicialet A.S, ku edhe janë sekuestruar disa armë e municion.

“Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati”, thuhej në njoftim.

A.S dyshohet se të hënën në mesditë në Podujevë ka shtënë me armë zjarri drejt një çifti, ku si pasojë ka mbetur i vrarë një 30-vjeçar ndërsa është plagosur bashkëshortja e tij.

Në momentin e të shtënave ndaj çiftit prezent kishte qenë edhe një fëmijë, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera