Sport

⚽️ UEFA “pasuron” klubet kosovare

Autori: Gazeta inFokus 18:50 | 19 May 2017

Dy klube të Kosovës në këtë verë do të debutojnë në gara evropiane, do të thithin edhe para të majme nga UEFA.
Kampionia e Kosovës që do të debutojë në Ligën e Kampionëve, Trepça ’89, qysh në start do të pasurohet gati me gjysmë milioni euro. Madje mund të bëhet milionere, varësisht prej rezultateve. Para të majme do të marrë edhe ekipi tjetër kosovar që do të debutojë në Europa League.

Klubet kosovare pritet ta thyejnë përfundimisht akullin këtë vit, duke marrë pjesë në garat evropiane, pak më shumë se një vit pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, shkruan Zëri.

’89-shi, gati gjysmë milioni në start

-Advertisement-

Pa dyshim klubi kosovar që do të përfitojë më së shumti këtë vit është Trepça ’89.

Mitrovicasit për titullin e kampionit që e siguruan së fundmi do të pasurohen me 260 mijë euro, shumë të cilën UEFA ua ndan kampionëve të shteteve përkatëse.

Dhe jo vetëm kaq. Në xhirollogarinë e “Xehetarëve” do të përfundojnë automatikisht 220 mijë euro të tjera vetëm për pjesëmarrje në rundin e parë të Ligës së Kampionëve.

Kjo i bie se “Minatorët” do t’i përfitojnë rreth gjysmë milioni euro këtë verë, ose më saktësisht 480 mijë euro. I pyetur nga “Zëri” kryetari i klubit Abedin Zeka nuk ka dashur ta tregojë shifrën e përafërt se sa kanë shpenzuar mitrovicasit këtë sezon.

’89-shi synon rrethin e dytë

Mitrovicasit nuk do të dalin në garat evropiane vetëm si turistë. Krerët e klubit janë në dëlir pasi arka e “Xehetarëve” do të mbushet. Madje, ata thonë se nuk do të dalin në Evropë vetëm si turistë, pasi kanë ambicie të shkojnë përpara.

“Sigurisht, tash e tutje do të rritet buxheti i klubit dhe do t’i kemi punët edhe më mirë. Do të kemi më shumë të hyra nga marketingu, e mbi të gjitha nga UEFA. Lojtarët do të kenë kushte më të mira”, ka thënë fillimisht Zeka.

“Ne do ta kërkojmë minimumi kalimin e rundit të parë të Ligës së Kampionëve, por do të mundohemi të jemi të suksesshëm edhe në atë të dytë”, shtoi ai.

Në rast se e kalon rundin e parë, ’89-shi do të shpërblehet nga UEFA me 320 mijë euro për kalimin në rrethin e dytë, ndërsa kualifikimi eventual në rundin e tretë do t’i pasuronte mitrovicasit edhe me 420 mijë euro të tjera. Me këtë rast Trepça ’89 do ta kalonte njëmilionëshin e përfitimeve, një shumë e jashtëzakonshme kjo.

“Pasurohet” edhe fituesi i Kupës

Krahas kampionit këtë vit arkat mund t’i mbushë edhe fituesi i Kupës së Kosovës.

Pasi Besa nuk e ka marrë licencën, Llapi, me një fitore eventuale në finalen e 31 majit, do të shpërblehej me 215 mijë euro vetëm për pjesëmarrje në rundin e parë kualifikues të Europa Leagues.

Kualifikimi eventual në rundin e dytë do t’i pasuronte llapjanët me 225 mijë të tjera, e në rundin e tretë edhe me 235 mijë.

Sigurisht UEFA e ka paraparë që klubet kanë shpenzime të mëdha në organizim të ndeshjeve dhe në udhëtime, prandaj e ka paraparë se shpërblimi i klubeve në këtë mënyrë është mëse i nevojshëm.

Llapi favorit për Europa League, nënkampioni në pritje

Federata e Futbollit të Kosovës i ka licencuar katër klube për pjesëmarrje në garat evropiane, Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe Llapin dhe vetëm dy prej tyre do të luajnë në Evropë sezonin e ardhshëm, ’89-shi dhe fituesi i Kupës, që mund të jetë Llapi. Nëse jo, atëherë në Europa League shkon nënkampioni i Kosovës. Për momentin pozitën e dytë në Superligë e mban Prishtina.

“Nikli” pret UEFA-n

Ndërkohë “Nikli” është ankuar në UEFA pasi konsideron se ka fakte të bollshme për të treguar se procesi i licencimit të klubeve ka qenë i kriminalizuar dhe me falsifikime, mbi të gjitha në kriterin inanciar.

Edhe prishtinasit janë ankuar në parregullsi në këtë rast. Të dyja klubet mbesin në pritje. Megjithatë, fjalën e fundit nëse ka pasur dallavere në procesin e licencimit do ta japë UEFA, e cila e ka pranuar të mërkurën dosjen e klubit nga Drenasi.

Plus 30 mijë për kampionin, 20 mijë për fituesin e Kupës

Përpos UEFA-s, klubet kosovare këtë sezon do t’i shpërblejë edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

Kampioni do t’i fitojë 30 mijë euro, nënkampioni 20 mijë, vendi i tretë 15 mijë, vendi i katër 10 mijë dhe pozita e pestë 5 mijë.

Ndër të tjera fituesi i Kupës do t’i fitojë 20 mijë euro, kurse finalisti 10 mijë sosh.

Në konkurrencën e femrave kampioni do të shpërblehet me 5 mijë euro, kurse fituesi i Kupës me 4 mijë e finalisti me 2 mijë euro.

Shpërblimet e UEFA-s

Liga e Kampionëve

Kampioni i shtetit: 260.000 euro

Rundi i parë kualifikues: 220.000

Rundi i dytë kualifikues: 320.000

Rundi i tretë kualifikues: 420.000

Europa League

Rundi i parë kualifikues: 215.000

Rundi i dytë kualifikues: 225.000

Rundi i tretë kualifikues: 235.000

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera