Sport

⚽️ Diçka e papritur po ndodh te Feronikeli

Autori: Gazeta inFokus 14:19 | 16 June 2017

Derisa Trepça ’89 dhe FC Prishtina tashmë janë në vlug të përgatitjeve për debutim në gara evropiane e po ashtu kanë nisur të përforcohen me lojtarë cilësorë si për në Evropë, ashtu edhe për në Kosovë, Feronikeli nuk po ndihet i gjallë. Posa ka përfunduar kampionati kampioni i dy vjetëve të kaluar menjëherë ka shkuar në pushim veror.

Natyrisht, “Nikli” kishte nevojë për një pushim pasi e përjetoi rëndë moskualifikimin në Evropë, për çka kishte punuar dhe kishte investuar jashtëzakonisht shumë. Dhe për këtë dështim klubi nga Drenasi e ka fajësuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën e ka akuzuar se përmes një procesi të falsifikuar e të kriminalizuar të licencimit të klubeve për Evropë e la padrejtësisht në shtëpi.

Zëri shkruan se dyshimet e veta për falsifikime në këtë proces Feronikeli i kishte përcjellë edhe në UEFA dhe nuk dihet nëse të njëjtën dosje e ka dorëzuar edhe në Prokurori, gjë që e kishte paralajmëruar. Kjo pasi Feronikeli ndihej shumë i dëmtuar sidomos financiarisht sepse viteve të fundit kishte shpenzuar shumë para për t’u bërë gati për Evropë, ku do të gjente po ashtu para.

-Advertisement-

Kështu, mosdalja në Evropë pavarësisht investimeve të mëdha e në anën tjetër heshtja totale aktualisht në Kosovë ka bërë që tani të shikohet me dyshime stabiliteti financiar i “Niklit”. Feronikeli aktualisht nuk e di nëse donatorët dhe anëtarët e tjerë të bordit do të vazhdojnë ta mbështesin siç e kanë mbështetur shumë në këto vitet e fundit.

“Ne e kemi pasur një projekt afatgjatë, i cili do të vazhdojë. Aktualisht jemi në pushim dhe pas kthimit nga pushimi do të shikojmë se si të veprojmë. Shpresojmë ta vazhdojmë tutje projektin, por kjo varet nga bordi dhe donatorët se a do të vazhdojnë të na mbështesin klubin edhe më tutje”, ka deklaruar për “Zërin” drejtori i Feronikelit, Artan Berisha.

Sipas tij, Feronikeli shumë shpejt do ta ketë të qartë të ardhmen, përkatësisht edicionin e radhës kampionale. Ai shpreson që skuadra më e mirë dhe më e organizuar në vitet e fundit ta vazhdojë dominimin në futbollin kosovar, të cilin sivjet ia ndali Trepça ’89, por edhe Prishtina e Llapi që i dolën përpara.

“Sezoni i ri? Krejt varet prej vendimit të bordit dhe donatorëve. Mendojmë se do të vazhdojmë. Për synime ende nuk i kemi caktuar, por shpresojmë të luftojmë për kreun e tabelës”, u shpreh ai.

Feronikeli: Federata ka nisur të më hakmerret!

Derisa Feronikeli është në pushim veror dhe në pritje të vendimeve të reja e të rëndësishme për të ardhmen e tij nga ana e donatorëve dhe anëtarëve të bordit klubi nga Drenasi e ka edhe një breng tjerët.

Edhe nëse donatorët dhe kryesia vazhdon ta mbështesë Feronikeli po frikësohet se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) mund “ta godasë” keq në edicionin e ardhshëm. Kjo për shkak se “Nikli” është i vetëdijshëm se FFK-ja i kishte përjetuar rëndë akuzat që ia kishte bërë për kriminalitet e falsifikime dokumentesh në një proces tepër të veçantë.

“Shpresoj që në edicionin e ri të luftojmë sërish për kreun edhe pse jemi të vetëdijshëm se do ta kemi shumë problem në dy aspekte: E para, ekipet tjera janë përforcuar shumë dhe tashmë e kanë marrë seriozisht garën; E dyta, mendojmë se do të kemi pengesa të mëdha nga FFK-ja dhe zyrtarët e saj për shkak të kritikave që ua kemi bërë e që tashmë veç dëshmuan se do ta fillojnë hakmarrjen”, deklaron për “Zërin” Berisha.

Feronikeli pretendon se fakti që Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjen me Turqinë ushtroi në Obiliq e Mitrovicë e jo në stadiumin e tij në Drenas, të cilin “Dardanët” e shfrytëzonin kohëve të fundit, tregon qartë hidhërimin e Federatës dhe fillimin e hakmarrjes për akuzat e mprehta që ia ka bërë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera