Lajme

​Rama: Jemi në proces të përzgjedhjes së drejtorëve dhe nënkryetarit nga radhët e PDK-së

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 27 January 2022

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë sot se janë në proces të përzgjedhjes së drejtorëve dhe nënkryetarit që do të vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kështu deklaroi i pari i Prishtinës me rastin e vizitës së shtëpisë-shkollë të familjes Hertica

“Jam në proces të përzgjedhjes”, tha ai.

-Advertisement-

Sa i përket shtëpisë – shkollë të Herticëve, Rama tha se Komuna e Prishtinës ka një projekt për parandalimin e shkatërrimit të tyre.

“Këtë monument me vlerë historike, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shpallur muze me emrin ‘Muzeu shtëpi-shkollë’. Pas shumë procedurave të tenderimit, projekti ideor është përzgjedhur tash, dhe është finalizuar nga Komuna e Prishtinës, tash jemi duke vazhduar procedurat të mëtejme të projektit të përzgjedhur në mënyrë që sa më parë ky objekt muze të fillojë punën dhe t’i mirëpres vizitorët… I kemi edhe si pjesë të buxhetit dhe të plan programit që këto duhet të fuqizohen që ta parandalojmë edhe shkatërrimit të tyre, sepse më shumë kohë që merr për funksionalizmin për muze teatër aq më keq. Pra ne duhet ta përshpejtojmë procedurën dhe me këtë jemi duke u marrë”, thotë Rama.

Familja Hertica është njëra prej familjeve e cila ka dhuruar shtëpinë e saj për të arsimuar brezin gjatë kohës së luftës kundër Serbisë. Mësimi është mbajtur në disa dhomat ku nxënësit në atë kohë janë detyruar të uleshin edhe nëpër sfungjerë.

E i pari i Prishtinës vlerësoi lart kontributin e Herticëve dhënë për arsimimin e shqipatrëve.

“Në këtë vit jubilar një falënderim dhe mirënjohje tejet e madhe dhe fort e përzemërt u detyrohet para së gjithash vetë familjeve pronare dhe të këtyre pronave për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Përkundër rreziqeve që u kanoseshin këto familje si familja Hertica, i shndërruan shtëpitë e tyre në vlera të diturisë dhe të qëndresës duke ndërmarrë një akt aq fisnik e aq bujar që na i thek zemrat edhe sot e kujtojmë pas kaq kohesh. Për më shumë, këta njerëz nuk është se e dinin që vendosën t’i ofrojnë këto prona, dhe arsimi tashmë i zhvendosur nga institucionet shkollore tek shtëpitë e tyre do të vijonte jo për një vit as dy por gati për një dekadë të tërë, duke i kthyer kështu shtëpitë dhe vetë pronarët në shënjestra të sigurta në syrin e pushtuesve. Kjo është edhe arsyeja se pse sapo gjetën mundësinë ata ia vunë flakën edhe kësaj shtëpie-shkollë para të cilës ndodhemi sot”, tha ai.

Ish-drejtori i asaj kohe i shtëpisë-shkollë, Avdyl Gashi, thotë se në Prishtinë kanë qenë 12 objekte të cilat janë shndërruar në shtëpi-shkolla.

Madje Gashi tregon edhe periudhën e vështirë të asaj kohe pasi që arsimtarët që mbanin mësime, më pas duhej të shkonin në vendin tjetër.

“Në këto kushte filloi organizimi i mësimit, mirëpo vështirë është ta thotë njeriu me pak fjalë, por kur është bërë thirrja që të filloi mësimi do si do dhe qytetarët të ofrojnë shtëpitë që të filloi mësimi, askush nga ne nuk ka pasur idenë se si organizohet mësimi në një dhomë, në dy dhoma, ose në pesë dhoma, dhe ato dhoma çfarë do të jenë. Kanë qenë dhoma të mobiluara… por 11 kanë qenë të mobiluara për klasë mësimi. Kur kemi filluar në janar të vitit 1992 nuk kemi qenë vetëm në këtë objekt, por në 12 objekte në këtë qytetet kanë qenë të shpërndarë vetëm nxënësit e gjimnazit, dhe në tre muajt e parë kanë qenë një gjendje e paimagjinuar se si do të organizohen mësimi lëndor kur dy klasë ishin këtu, një klasë ishte në rrugën ‘Havollt’, tjetra në Dragodan, dhe tjetra në Bregun e Diellit e të tjera, dhe arsimtari që organizonte mësimin këtu duhej të shkonte në vendimin tjetër, vetëm orari të harrohej ishte shumë problem, mirëpo dy vullnete për mua ishin njerëzore, vullneti dhe dëshira të prindërve, nxënësve dhe arsimtarëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq ceremonia e ndarjes së mirënjohjes për personalitetet që kontribuan në këtë shtëpi-shkollë, për arsye të masave parandaluese të Qeverisë së Kosovës, u shty për datën 11 qershor, në datën e çlirimit të Prishtinës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera