Lajme

​LDK për marrëveshjen me Danimarkën rreth shfrytëzimit të burgjeve: Qeveria Hoti s’ka qenë në dijeni

Autori: Gazeta inFokus 13:36 | 20 December 2021

Në Qendrën Korrektuese të Gjilan pritet që të vendosen 300 të burgosur nga Danimarka. E për këtë arsye sot gjatë ditës në Kosovë do të qëndrojë ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup. Lidhur me këtë marrëveshje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se ende nuk kanë qëndrim nëse do ta mbështesin apo jo, pasi për të kaluar kjo marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku tha për KosovaPress, se ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk ka qenë i njoftuar rreth kësaj nisme. Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë deklaroi se këtë iniciativë e ka trashëguar nga ministri i kaluar nga radhët e AAK-së, Selim Selimi.

Bunjaku po ashtu u shpreh se mënyra e sistemimit të këtyre të burgosurve kërkon një analizë jashtëzakonisht të mirë.

-Advertisement-

“Ne si grup parlamentar ende nuk jemi takuar për të biseduar rreth kësaj çështje. Sa i përket kësaj iniciative ka mund të jetë iniciativë e ministritë të Aleancës në atë kohë, por me sa unë kam informacione dhe me sa unë kam kontaktuar, Qeveria Hoti as që ka qenë në dijeni për këtë nismë të ministritë të Aleancës në këtë rast, Selim Selimit. Sa i përket këtyre të burgosurve duhet të analizohet kjo çështje jashtëzakonisht mirë, qoftë në Gjilan apo komunat tjera sepse pas vuajtjes së dënimit të atyre të burgosurve që nuk janë me nënshtetësi daneze, varet se ku do e bëjnë vikendin dhe kur të lirohen, ju e dini që pastaj një pjesë e burgut edhe falet, ku do të shkojnë ata pasi të kryhet burgu dhe janë shumë nënpyetje që ne si LDK, dhe unë si deputete nuk i kam të qarta. Ne si grup parlamentar do të ulemi, do të bisedojmë me kryetarin e partisë tonë dhe do e marrim një vendim bashkarisht. Tani për tani nuk kemi vendim, por duhet me bë edhe shumë pyetje dhe shumë analizë rreth kësaj çështje”, u shpreh ajo.

Për qelitë e dhëna huat për Danimarkën për 10 vite, Kosova do të marrë si shpërblim 210 milionë euro nga Danimarka.

Deputetja e LDK-së për KosovaPress, u shpreh se përkundër që Kosova ka nevojë për ndihmë financiare nga shtetet tjera, por assesi nuk duhet të cenohet rendi dhe siguria e qytetarëve në Kosovë.

“Kosova ka nevojë për të përfituar por Kosova ka nevojë ta ruaj sigurinë në vendin tonë dhe kur vije në pyetje sigurta pak me rëndësi është se sa fiton Kosova….Patjetër që mundet me ndikuar por çfarëdo që është por varet se si do arrihet ajo marrëveshje si do sillet në Kuvend, unë ende nuk e kam parë dhe nuk mund të them detajisht se çka, si dhe tek. Por ne si Kosovë normalisht kemi nevojë për ndihmën e shteteve tjera por jo duke cenuar rendin dhe ligjin dhe sigurinë realisht”, theksoi Bunjaku.

KosovaPress ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga dy partitë tjera opozitare PDK dhe AAK, por ata nuk kanë pranuar të japin qëndrimin e tyre rreth kësaj marrëveshje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera