Lajme

​Lansohet aplikacioni “Lajmëro policinë”, qytetarët mund të raportojnë rastet pa shkuar në polici

Autori: Gazeta inFokus 15:32 | 24 June 2020

Qytetarët e Kosovës tash e tutje do të mund t’i raportojnë rastet pa shkuar në stacionet policore falë aplikacionit të ri “Lajmëro policinë”.

Me rastin e lansimit të këtij aplikacioni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se kjo platformë elektronike do të jetë një lehtësim i madh për qytetarët, të cilët mund të raportojnë rastet e ndryshme.

Në një konferencë për media, ai tha se raportimi përmes kësaj platforme do të jetë shumë më konfidencial dhe se pret një bashkëpunim më të madh nga qytetarët.

-Advertisement-

“Ky do të jetë një lehtësim për qytetarët e Kosovës, që të raportojnë rastet me të cilat ata edhe ashtu janë duke raportuar, mirëpo deri tani fizikisht, kurse tani do të jetë në mënyrë digjitale, pra në mënyrë shumë më të lehtë dhe lajmërimi do të jetë shumë më konfidencial. Shumë qytetarë që hezitojnë të paraqesin rastet, për shkak të procedurave dhe që nganjëherë ata tentojnë të mos paraqesin fare rastin, për faktin që nuk dëshirojnë t’i përmendet emri. Ky aplikacion është shumë i rëndësishëm edhe për efikasitetin e policisë pasi policët tanë do të jenë shumë më të shpejt në përgjigjen e rastit dhe do të kemi komunikim më të mirë me qytetarin”, tha Qalaj.

Ndërsa, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, deklaroi se në këtë aplikacion mund të kenë qasje të gjithë qytetarët.

“Në pritje të më shumë sukseseve që do të vijnë, unë jam shumë i lumtur që jam këtu edhe një herë dhe për të dhënë njëfarë mbështetje për Policinë e Kosovës, këtë herë në lansimin e programit të raportimit digjital të aplikacionit “Informoni policinë”. Të gjithë e dimë se komunikimi në këtë kohë është shumë më tepër sesa ajo që ne bëjmë ballë për ballë, telefonat dhe teknologjia informative janë bërë pjesë integrale të jetës sonë dhe shpesh e kemi gjetur veten. Mendoj se secili nga ne në situatën ku kemi parë gjëra nëpër rrugë për të cilat ne do të dëshironim t’i raportonim, por nuk e dinim si. Ne kemi tani këtë aplikacion informues në celular. Ai ofron qasje në celular për raportimin e krimeve, për raportimin e dhunës, çështje të sigurisë në komunikacion dhe gjëra të tjera. Madje, lejon që publiku të paraqesë këshilla anonime për policinë e Kosovës, e gjithë kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për hetimin dhe parandalimin e krimit”, tha ai.

Ndryshe, projekti është lansuar me mbështetjen e misionit të OSBE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera