Lajme

​Komuna e Mitrovicës ndan 170 mijë euro për luftimin e virusit COVID-19

Autori: Gazeta inFokus 12:45 | 27 March 2020

Komuna e Mitrovicës ka ndarë 170 mijë euro për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Kjo u bë e ditur gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës që u mbajt sot në këtë qytet.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se situata e krijuar kërkon unitet si kurrë më parë, pavarësisht bindjeve politike dhe dallimeve tjera.

Sipas tij, komuna ka marr të gjitha hapat e nevojshme dhe është duke u angazhuar maksimalisht, duke kyçur të gjithë faktorët relevantë, për ta tejkaluar sa më suksesshëm këtë gjendje të vështirë.

-Advertisement-

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, duke sqaruar se kjo është e vetmja mundësi për tejkalimin e situatës.

Bahtiri: Sot duhet të jemi të gjithë bashkë

“Sot ju kam ftuar që të jemi së bashku, me ç’ rast na bashkon vetëm një gjë që kërkon domosdoshmërinë të jemi bashkë, pavarësisht partive politike, njerëzve, mendimeve të ndryshme. Sot duhet të jemi të gjithë bashkë, në mënyrë që të përballojmë këtë situatë tepër të rëndë, dhe me të cilën po lufojmë, e që e ka kapluar jo vetëm Kosovën, por krejt botën… Qeveria e Kosovës ka marr hapat e duhura, por edhe ne si Komunë e kemi bërë këshillin emergjent, ku janë të kyçur të gjithë faktorët, spitali, QKMF-ja, policia dhe të gjithë të tjerët me të cilët rregullisht i mbajmë takimet dhe marrim vendime, në mënyrë që të bëjmë më të mirën për këtë vend. Kërkesa ime, por edhe e gjithë juve duhet të jetë, që i vetmi shërim dhe e vetmja mundësi për të përballuar këtë situatë, është që qytetarët të rrinë nëpër shtëpitë e tyre”, ka thënë Bahtiri.

Ai apeloi poashtu tek qytetarët që të mos bëjnë panik dhe të jenë të qetë, duke ju garantuar atyre se përkundër gjendjes së vështirë, nuk do të ketë mungesa të asnjë artikulli elementar.

Bahtiri potencoi se komuna ka përpiluar një listë prej 18 artikujve elementarë, për të cilat tha se do të arrin në sasi të mjaftueshme shumë shpejt në Mitrovicë.

Shukri Gashi, drejtor i Drejtorisë së Financave në Mitrovicë, duke sqaruar Ligjin për vetëqeverisjen lokale, tha se lejohet që deri në pesë për qind të projekteve të bëhet transfer i mjeteve nga një kategori në një kategori tjetër ekonomike, me aprovim të Kuvendit Komunal, dhe pa u përfshirë ministritë apo ndonjë palë tjetër.

Ai ka përmendur nevojën për blerjen e mjeteve mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme, në funksion të parandalimit, mbrojtjes dhe shërimit kundër virusit COVID-19.

Gashi: 138 mijë euro janë nga të hyrat vetanake dhe 32 mijë euro janë nga granti qeveritar

“Totali për bartje është 170 mijë euro, ku 138 mijë euro janë nga të hyrat vetanake, dhe 32 mijë euro janë nga granti qeveritar”, theksoi Gashi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme parlamentare, lavdëruan angazhimin e komunës në këtë situatë, duke u shprehur unikë në betejën kundër pandemisë.

Donjet Bislimi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se s’kanë dallime partiake, sepse në këtë betejë kundër koronavirusit janë të gjithë një.

Bislimi: S’kemi dallime partiake, jemi një

“E shoh një mobilizim të hatashëm prej të gjitha instancave për çka po dua me ju falënderua edhe juve si komunë për punën që jeni duke bërë. Duhet me ditë që s’kemi dallime partiake, sepse në luftën kundër këtij virusi jemi n jë”, u shpreh Bislimi.

Kjo mbledhje u mbajt në qendrën e kulturës ‘Rexhep Mitrovica’ për të përfillur rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për mbajtjen e distancës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera