Lajme

​Refuzimi i asociacionit, Qeverisë i kërkohet të ketë qasje më strategjike dhe diplomatike

Autori: Gazeta inFokus 09:28 | 05 December 2021

Refuzimi kategorik i Qeverisë së Kosovës kundër themelimit të çfarëdo asociacioni një etnik, shihet si metodë për të ardhur tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e krijimit të një etniteti të bashkësisë së komunave serbe. Megjithëse, presioni ndërkombëtar është rritur për implementimin e marrëveshjes së Brukselit, Qeverisë i kërkohet të ketë një qasje më strategjike dhe diplomatike lidhur me refuzimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë për KosovaPress, se asociacioni duhet të themelohet, por nuk duhet t’i lejohen kompetenca dhe autorizime ekzekutive.

Ai thotë se çfarëdo dokumenti i sërishëm që del për asociacionin duhet parë kushtetutshmërinë e tij në Gjykatën Kushtetuese. Për një gjë të tillë, Raci, i cili ka qenë i përfshirë në procesin e dialogut, thotë se janë pajtuar edhe bashkësia ndërkombëtare, madje edhe vet Serbia.

-Advertisement-

“Asociacioni i komunave serbe duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk duhet të lejohen kompetenca apo autorizime që i lejon Kushtetuta e vendit….Bashkësia Ndërkombëtare, BE-ja dhe ShBA-të në marrëveshjen e vitit 2015, janë pajtuar që çfarëdo vendimi i ri apo dokument i ri që do të vijë për asociacionin duhet të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese. Për këtë u pajtua edhe Serbia, kështu që edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia e kanë parasysh se çfarëdo dokumenti që vije si rezultat për asociacionin duhet të kalojë nga Gjykata Kushtetuese”, thotë ai.

Refuzimin kategorik të Qeverisë Kurti për Asociacionin, Raci e sheh më shumë si metodë për të ngritur nivelin e kërkesave në mënyrë që të vije tek vendimi i Kushtetueses.

“Këto janë metoda që qeveria jonë e re po i përdorë në tryezën e bisedimeve, duke e ngrit nivelin e kërkesave më të larta në mënyrë që të vije tek pozicioni i mendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përtej atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese është rrezik të dilet”, shton Raci.

Kujdes më të shtuar për çështjen e asociacionit po kërkon profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, i cili thotë se presioni politik i faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës është rritur dukshëm.

Ai thotë për KosovaPress, se qëndrimi i ekzekutivi duhet të jetë më strategjik dhe diplomatik në raport me asociacionin.

“Presioni politik është rritur karshi Kosovës në lidhje me gjitha marrëveshjet e Brukselit dhe specifikisht në këtë rast me çështjen e Aaociacionit të komunave serbe. Por qëndrimi i Kosovës duhet të jetë më strategjik dhe diplomatik. Mund të thuhet që ka hapësirë për diskutim për asociacionin, por ai duhet të riformulohet pak më ndryshe politikisht, pasi është marrëveshje ndërkombëtare dhe kemi marrë obligim me zbatuar. Por ne duhet të jemi më të zhdërvjelltë në këtë çështje dhe të themi se implementimi i asociacionit mund të hyjë në fuqi vetëm atëherë kur na njeh Serbia. Ne atë mënyrë e pranojmë atë, por në forma tjera. Duhet të jemi më diplomat në këtë çështje ta shkarkojmë presionin dhe ta hedhim tek pala tjetër”, thotë ai.

Në kuadër të dialogut, pala serbe vazhdimisht është duke insistuar për ta hapur temën e themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Mirëpo me një gjë të tillë nuk janë pajtuar nga pala kosovare.

Respektim të marrëveshjeve të Brukselit po kërkojnë vazhdimisht nga Bashkimi Evropian, derisa së fundmi një gjë të tillë e kërkoi edhe presidenti slloven, Borut Pahor gjatë vizitës në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera