Osmani: Kosovës duhet hequr vizat menjëherë
Autori: Gazeta inFokus 13:47 | 08 October 2020
Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi në kuadër të vizitës në Kosovë, u takua sot edhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Gjatë fjalimit mikpritës për komisionarin evropian, Osmani tha se institucionet e Kosovës kanë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, andaj ajo theksoi se maratonës së integrimit të Kosovës në familjen evropiane duhet t’i vijë fundi.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk i bën nder as Bashkimit Evropian.
“Institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme që rruga drejtë BE-së kërkon përkushtim shumë përtej fjalësh, kërkon vepra konkrete, koordinim e përpikëri në zbatim të obligimeve tona. Ne e kuptojmë se procesi i integrimi evropian është një maratonë, por edhe maratona e ka një fund. Prej një dekade institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë bërë përpjekje për t’i përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizimi të vizash, por i kanë plotësuar që të gjitha siç a ka pranuar edhe vetë Komisioni Evropian. Pra, mos liberalizimi i vizave nuk i bën nder as vetë Bashkimit Evropian e as shteteve anëtare. Maratona që kemi nisur në vitin 2018 duhet ta ketë një epilog. Ne na duhet një maratonomak që jep kumtin të cilin prej vitesh e presin qytetarët, sepse Kosovës duhet liberalizuar vizat tani”, tha Osmani.
E para e Kuvendit ritheksoi kërkesën e kosovarëve që nuk pranojnë që dialogu me Serbinë të përfundojë me kufij tjerë, përpos atyre aktualë.
“Vizita juaj vjen pikërisht në kohën kur diskursi mbi integrimin evropian është rikthyer fuqishëm në vendin tonë pas publikimit të raportit nga Komisioni Evropian. Por se sikur e dini mjegulla që e ka karakterizuar këtë proces për vite me radhë nuk është larguar ende. Për Republikën tonë, roli i BE-së është i patjetërsueshëm, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një ndër prioritet themelore të Republikës sonë njësoj dhe në procesin e dialogut roli i BE është i rëndësisë së veçantë në bashkëkoordinim me Shtetet e Bashkuara. Ky parlament dhe qytetarët e Kosovës e kanë bërë të qartë se në dialog nuk pranojnë as ndryshim të kufijsh e as defunksionalizim të shtetit tonë nëpërmjet ideve që mund të krijojnë edhe një republikë serbe në rajonin tonë”, tha Osmani.
Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi gjatë adresimit të tij para deputetëve, tha se shpreson që Kosova dhe Serbia do të arrijnë progres në muajt që vijnë drejt arritjes së një marrëveshje obliguese për të dyja palët, në mënyrë që këto dy vende të avancojnë dhe të arrijnë progres në rrugën drejt BE-së.
Ai ka ritheksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.
“Llogaris në këtë Kuvend që ta mbani konsensusin ndërpartiak të nevojshëm në fushën e reformave të nevojshme që kanë të bëjnë me integrimin në BE, reforma këto që kanë interes strategjik për Kosovën. Heqja e tarifës apo e taksës 100 për qind ndal mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që është bërë në fillim të këtij viti ka qenë një vendim tejet i rëndësishëm që e ka mbështetur BE-ja. Ky veprim e ka lejuar rindërtimin edhe njëherë të tregtisë me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinës dhe rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE. Shpresoj që të dyja palët do të arrijnë progres në muajt që vijnë dhe do arrijnë një marrëveshje që është ligjërisht obliguese për Serbinë dhe Kosovën në mënyrë që këto dy vende të avancojnë dhe të arrijnë progres në rrugën drejt BE-së. Komisioni mbetet i përkushtuar që të arrihet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. E dimë se sa është e rëndësishme kjo për qytetarët e Kosovës siç e dini vlerësimi i Komisionit është se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe Komisioni është i gatshëm t’i ofrojë të gjitha informatat që kërkohen nga shtetet anëtare të BE edhe njëherë kur kjo çështje sillet në tavolinë”, tha ai.
Varhelyi para deputetëve ka prezantuar edhe pakon ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor me të cilin synohet rimëkëmbje afatgjate ekonomike për rajonin. Ai theksoi se plani për investime dhe zhvillim ekonomik po ashtu synon ta afrojë Ballkanin Perëndimor me BE-në.
“Tani fokusi ynë është mbështetja afatgjate e rimëkëmbjes socio-ekonomike të konvergjencave të ekonomisë së rajonit me BE-në. Ekziston një zbrazëti e madhe në kuptimin e zhvillimit ekonomik në mes të rajonit tuaj dhe BE-së. Sa më shpejt që e mbyllim këtë zbrazëtirë, aq më shpejt do të fillojmë të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të fuqishme, dhe aq më shpejt ju do jeni në gjendje që t’i bashkoheni BE-së. Këtë javë komisioni e ka krijuar një plan për investim dhe për zhvillim ekonomik, i cili ka për qëllim rimëkëmbjen afatgjate ekonomike dhe kjo do të shpjerë te një rritje ekonomike e qëndrueshme, e cila do ta mbështesë implementimin e reformave të nevojshme në rrugën drejt BE-së dhe do ta afrojë Ballkanin Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në këtë plan ne kemi për qëllim që mobilizimin e 9 miliardë eurove në grante për financimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me BE-në. Paketa e investimeve është e strukturuar në rreth 10 iniciativa kryesore në tri iniciative kryesore që do të zbatohen në tri fushat kryesore siç janë transporti, energjia, ambienti, fusha e digjitalizimit, sektori privat dhe rinia. Këto prioritete janë të përbashkëta. Ne i kemi zhvilluar së bashku me rajonin duke përfshirë edhe qeverinë tuaj”, tha ai.
Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi gjatë ditës së sotme është takuar edhe me kryeministrin Avdullah Hoti.
Të tjera
-
Publikohet lista e 16 subjekteve politike me 626 kandidatë për deputetë që i certifikoi KQZ-ja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi edhe pjesën e dytë të subjeteve pol...
-
Ngritet aktakuzë ndaj të pandehurit për ngasje në gjendje të dehur
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundrejt të pandehurit Y....
-
Vuçiq: Kurti po përpiqet të eliminojë të vetmin kundërshtar politik në Kosovë, që është Lista Serbe
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovë...
-
Kjo është 19-vjeçarja që sulmoi policët brenda stacionit policor në Prishtinë
Një vajzë 19-vjeçare, dyshohet që nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar zyrtarë...
-
Biden ua fal dënimin me vdẹkje 37 të burgosurve
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden të hënën ua zbuti dënimet 37 nga 40 të burgos...
-
Reshjet e dendura të borës, Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë të kalueshme
Që në orët e para të mëngjesit gati të gjitha komunat e Kosovës janë mbuluar ...
-
Haxhiu: Deri tash janë ngritur 67 aktakuza për krime lufte ndaj 174 personave
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar se aktualisht në bazë të ...
-
Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medaljen për shërbim të shquar
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin...
-
Pushteti kërkon që intervistimi i Kurtit nga Specialja të bëhet sipas propozimeve të tyre, Haxhiu: Nuk ka asnjë arsye që prokurorët të refuzojnë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të hënën se nëse Prokur...
-
KQZ merr vendim: Nuk certifikohet Lista Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe. Sh...
-
Alban Rraci mbledh mbështetësit e LDK-së në Klinë: Bashkë për ndryshim dhe fitore me 9 shkurt
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, Alban Rraci dhe ...
-
Lajçak e bën bilancin: Kam shpresuar për më shumë progres në dialog, por mesazhi për Kosovën e Serbinë është i qartë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak k...