Lajme

​Berisha: Kosova ka plagët e hapura nga lufta, të angazhohemi për shërimin e sistemit shtetëror-politik

Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 08 February 2021

Një nga udhëheqësit e Betejës së lavdishme të Koshares, Hisen Berisha, kërkon besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit. Edukimi në frymën e patriotizmit shtetëror e dashuria ndaj shtetit thotë se ka qenë një nga arsyet pse ai vendosi të bëhet pjesë e proceseve e politike për të ndihmuar në shërimin e sistemit shtetëror dhe politik të Kosovës.

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Berisha deklaroi për KosovaPress se do të angazhohet për integrim në tregun e punës për studentët e të rinjtë, ndërsa paharruar edhe atë që ai i vlerëson si dy shtylla kryesore të vendit, si arsimi dhe shëndetësia.

Duke iu rikthyer aktualitetit, Berisha thotë se vendi në vitet e fundit ka pësuar goditje të rënda dhe devijime të cilat Kosovën nuk e lejojnë të bëhet shtet funksional, por që shteti duhet të kthehet nga perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara.

-Advertisement-

“Të qenit oficer për strategji dhe doktrina më ka bërë që të jem në koherencë me të gjitha zhvillimet, kapacitetet, fenomenet dhe fuqitë nacionale të vendit tonë dhe t’i njoh ato në detaje në formë profesionale dhe shkencore dhe kuptohet se edukimi në frymën e patriotizmit shtetëror, dashurisë ndaj shtetit, punës, popullit dhe ndaj ligjit ka bërë që të vendos të jem pjesë edhe e procesit politik për të ndihmuar në shërimin e sistemit shtetëror dhe politik të Kosovës, i cili gjatë këtyre viteve ka pësuar goditje të rënda dhe devijime të cilat Kosovën nuk e lejojnë të bëhet shtet funksional dhe të vihet në binarët e vetë drejt perëndimit dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shprehet Berisha.

Të rinjtë do të jenë padyshim në fokus të angazhimit të tij politik por edhe të partisë që përfaqëson. Berisha deklaron se do të ketë punë konkrete në krijimin e lehtësirave për të rinjtë, qoftë gjatë studimeve, por edhe për t’u integruar në tregun e punës.

Sipas Berishës, të rinjtë janë ballafaquar me pengesa të shumta që iu ka vështirësuar jetesën në Kosovë. Karta e studentit thotë se duhet të jetë pikënisja për të ndihmuar studentët e për të vazhduar edhe te praktika që do t’i vlerësohet si përvojë pune.

“Pothuajse të gjitha vendet kanë kartonin e studentit dhe studentëve do t’ua lehtësojmë jetën gjatë studimeve. Pra, gjatë blerjeve në qendrat me sistem blerjeje do ketë një zbritje që ne e kemi vlerësuar deri në 30 përqind e fuqia ekonomike e shtetit mund ta rrisë atë zbritje dhe kjo e lehtëson jetën, jo vetëm të studentit, por e lehtëson edhe jetën e prindërve që preokupohen për jetën e fëmijëve. Kemi pasur një pengesë për disa vite për të rinjtë e cila ua ka mbyllur të gjitha mundësitë e punësimit dhe jetës në Kosovë, kur kryejnë fakultetin cilido qoftë ai në çdo konkurs shkruan përvoja e punës tre vjet. Ku ta marrë një i ri që del nga studimet përvojën trevjeçare, ku ai nuk është pranuar asnjëherë në punë. Dhe këtë kriter do ta heqim nga standardet e konkursit dhe në çdo fakultet që kryhet, çdo student e ka të detyruar praktikën dhe këtë praktik do konsiderohet si përvojë pune për t’iu mundësuar të rinjve për integrim në tregun e punës në Kosovë”, tha Berisha.

Kandidati i PDK-së për deputet thotë se të moshuarit nuk do të lihen në harresë. Sipas tij, me qeverisjen e Partisë Demokratike do të tentohet që të sigurohen barna falas.

Duke u ndalur te shëndetësia, Berisha zotohet që do të jetë zëri i mbrojtjes dhe mbështetjes edhe për të gjithë personelin shëndetësor që prej një viti janë në vijën e parë të luftës me pandeminë.

“Si qeverisje ne do të mundohemi që kësaj kategorie (të moshuarve) të gjitha barnat t’jua sigurojmë falas sepse në aspektin e kostos janë minimale për buxhetin e shtetit dhe pse të mos i lejojmë atë pension në pleqësi ata ta gëzojnë vetëm për nevojat e relaksimit të jetës së tyre ditore, të mos preokupohen për barnat që për ata janë imediate. Gjatë jetës time dhe këtyre ditëve intensive që jemi përballur me pandeminë kam dëshmuar edhe gatishmërinë time për fushën e shëndetësisë. Ne e kemi parë që dy shtylla janë ato që e determinojnë mirëqenien e popullit tonë, arsimi dhe shëndetësia. Ne kemi parë se me çfarë po përballen sot ata që quhen heronjtë me mantele të bardha. Jam zotuar se do jemi zëri i mbrojtjes, i mbështetjes së tyre në të gjitha format, qoftë në avancim profesional, krijimit të kapaciteteve teknologjike në mbështetjen e profesionit të tyre, qoftë në avancimin e mbështetjes financiare për t’ua rritur mirëqenien e tyre, familjeve të tyre sepse me të vërtetë tash po shihen se cilët janë njerëzit më të domosdoshëm në situatën që po kalojnë e që jeta mund të sjell befasi të ndryshme”, u shpreh Berisha.

Berisha është kundër paragjykimit të procesit elektoral, që sipas tij e hasim te diskursi i Lëvizjes Vetëvendosje. Për orientimin e këtij subjekti politik, thotë se është rreshtuar në një familje politike me SPS-n e famëkeqit Sllobodan Millosheviq në një kohë kur vendi ende lëngon nga plagët e luftës.

“Ju i keni parë ato emërimet ‘president’ e ‘kryeministër’ dhe fillojnë të thirren si të tillë duke e paragjykuar procesin elektoral dhe duke mos lejuar që përmes votës njëherë të artikulohet kjo dhe pastaj nuk na bëhet vonë për t’i marrë edhe titujt, edhe uroj që secili që ka pretendimet e veta që ka drejtësi në ato dhe vizion t’i arrijë. Por forma e tillë e imponimit është një tendencë e hapur për të imponuar një lloj neo-diktaturë të proletariatit të cilën nënshtrimin e parimit të ligjshmërisë së vullnetit popullor, term ky i dëgjuar shumë herë në sistemet komuniste që jo larg i kemi përjetuar. A ka tmerr më të madh se sot të rreshtohesh në një familje politike me SPS e Millosheviqit kur ende na lëngojnë plagët, ende luftojmë për të pagjeturit, kur ende kemi varret e zbrazëta, kur ende ne kemi dhimbje nga lufta. Jam për pajtim, rehabilitim të përgjithshëm dhe për të shikuar përpara por këto lloj plagësh nuk mbyllen aq lehtë, këto lloj dhimbjesh nuk mbyllen lehtë, prandaj është ofenduese dhe shumë lënduese për këtë kategori të qytetarëve sot t’iu orientohen fëmijët e tyre sepse elektorati i Lëvizjes Vetëvendosje janë të rinj dhe kryesisht në diasporë dhe është tmerr, është krim, të orientohen drejt një familjeje të tillë politike ku graviton edhe SPS i Millosheviqit”, tha ai.

Kandidati për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha mban numrin 53 në listën e këtij subjekti politik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera