Lajme

Zyra Ligjore e Kryeministrit: Mbajtja e grevës së punëtorëve shëndetësorë në gjendje emergjente, e jashtëligjshme

Autori: Gazeta inFokus 12:05 | 04 January 2022

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Drejtave të Pacientëve Besim Kodra, ka kërkuar sqarim nga Zyra Ligjore e Kryeministrit Albin Kurti, për ligjshmërinë e mbajtjes së grevave të organizuara nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

ZLK ka deklaruar se mbajtja e grevës së punëtorëve shëndetësorë në gjendje emergjente, sikurse është pandemia, është e jashtëligjshme.

Sipas kësaj zyre, Ligji për Greva në nenin 15 rregullon pamundësinë e mbajtjes së grevave gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme brenda kuptimit të Nenit 15.

-Advertisement-

“Fatkeqësitë natyrore, gjendja e luftës, epidemitë dhe rastet kur vihet në rrezik liria e zgjedhjeve”, thuhet në këtë nen.

Tutje zyra ligjore ka deklaruar se edhe pandemia përfshihet në këtë gjendje.

“Megjithëse paragrafi 2 i nenit 15 nuk e liston ‘pandeminë’ në kuadër të gjendjeve të jashtëzakonshme, marrë parasysh shtrirjen globale të pandemisë në krahasim me atë të kufizuar të epidemisë, konsiderohet se Neni 15 aplikohet për aq sa zgjat emergjenca në shëndetin publik e shpallur me vendimin e Qeverisë Nr.1/11 të datës 15.03.2021”, thuhet në këtë përgjigje të Zyrës Ligjore.

Ndërsa Kodra tha se është legjitime kërkesa për rritje pagash, por thekson se nuk duhet përdorur pacientët si armë në luftën për rritjen e mirëqenies.

“Kërkoni paga e mos u ndalni asnjëherë, por pacientët nuk u’a kanë me borxh dhimbjen që ju të rrisni mirëqenien. Ata mos i përdorni si armë në luftën që ju e bëni për rritjen e mirëqenies”, shkroi në fund Kodra.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera