Lajme

Zyra e Kryeministrit shkel privatësinë, të dhënat personale të qytetarit përfundojnë te stafi politik i Ministrisë së Drejtësisë

Autori: Gazeta inFokus 11:58 | 05 June 2025

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka shpërndarë të dhëna personale të një qytetari, pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila ka miratuar një ankesë të parashtruar më 21 janar 2025 nga qytetari A.A., ndaj Zyrës së Kryeministrit, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave.

Sipas vendimit të AIP, Zyra e Kryeministrit ka shpërndarë pa autorizim dokumente që përmbajnë të dhëna personale të ankuesit, përfshirë adresën e banimit dhe dokumentin identifikues, te rreth 30 zyrtarë të administratës shtetërore që nuk kanë pasur asnjë lidhje me çështjen përkatëse. Të njëjtat të dhëna janë shpërndarë më pas edhe te zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë ministren, shefin e kabinetit të saj, sekretaren e përgjithshme dhe koordinatorin për informim të ZKM-së.

-Advertisement-

AIP e ka vlerësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ka urdhëruar Zyrën e Kryeministrit që brenda 15 ditësh të ndalojë shpërndarjen e të dhënave personale pa bazë ligjore, si dhe të harmonizojë procesin e përpunimit të të dhënave me dispozitat e ligjit në fuqi.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Agjencia, shkelja filloi pasi qytetari A.A kishte parashtruar një ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), duke kundërshtuar një konkurs të shpallur nga Zyra e Kryeministrit. Me kërkesë të Këshillit, Zyra e Kryeministrit dërgoi përgjigje, bashkë me ankesën e qytetarit, duke shpërndarë automatikisht edhe të dhënat e tij personale në format elektronik dhe fizik.

Më shqetësuesja është se, edhe pas ankesës dhe njoftimit të brendshëm nga qytetari se të dhënat e tij janë shpërndarë pa leje, Zyra e Kryeministrit, përmes zyrtares për qasje në dokumente publike, vazhdoi t’i shpërndajë të njëjtat dokumente me të dhëna personale, këtë herë edhe në Ministrinë e Drejtësisë, duke përfshirë njerëz që nuk kishin fare kompetencë në shqyrtimin e lëndës.

Zyrtari i Inspektimit nga AIP ka konfirmuar se të dhënat e shpërndara përmbanin emrin, mbiemrin, adresën e banimit si dhe letërnjoftimin e skanuar në dy anët, të gjitha të ruajtura dhe qarkulluara në mënyrë të paautorizuar, në kundërshtim me normat e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave.

Ky rast ngre shqetësime serioze rreth menaxhimit të të dhënave personale në institucionin më të lartë ekzekutiv të vendit, si dhe për mënyrën se si bashkëpunimi ndërinstitucional po përdoret për të shpërndarë informacione sensitive pa bazë ligjore apo miratim nga subjektet e përfshira.

Zyra e Kryeministrit pritet të zbatojë vendimin e AIP deri më 20 qershor 2025 dhe të njoftojë Agjencinë për hapat e ndërmarrë, në të kundërtën, mund të ndërmerren masa të tjera konform ligjit.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka paralajmëruar se do të vazhdojë mbikëqyrjen aktive të rasteve të tilla dhe ka bërë thirrje që të gjitha institucionet publike të respektojnë me rigorozitet të drejtat e qytetarëve për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale./InfoSot/

Vendim-Nr.-58-Urdherues-ndaj-Zyres-se-Kryeministrit (1)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FIFA Club World Cup ekskluzivisht vjen për herë të parë në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera