Lajme

Zyra e kryeministrit kundërshton Hotin, tregon kur u vetizolua

Autori: H. Smajli 11:48 | 03 August 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të dielën pasi u testua për COVID-19, rezultoi pozitiv.

Në një status në llogarinë e tij në facebook Hoti shkruan se është vetizoluar menjëherë pasi i është rekomanduar testimi.

“Edhe pse nuk kam pas asnje shqetesim serioz, me paraqitjen e nje kolle te lehte te dielen, bashkepunetoret me rekomanduan te testohem. Testimin e kam bere te dielen rreth ores 16. Ne momentin qe jam testuar, jam izoluar ne pritje te rezultatit, pasi keshtu eshte protokolli i rekomanduar nga mjeket. Sapo e kam marre rezultatin, e kam bere publik. Kushdo qe deklaron ndryshe nuk e thote te verteten”, shkruan Hoti.

-Advertisement-

Mirëpo të njëjtën gjë nuk po e thonë nga zyra e tij, shkruan gazeta inFokus.

Në një komunikatë drejtuar mediave nga zyra për informim e kryeministrit thuhet se ai është vetizoluar menjëherë pasi ka marrë rezultatin ku kishte rezultuar pozitiv.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, me sugjerimin e mjekëve, dje pasdite e ka bërë testin për COVID- 19. Porsa ka marrë rezultatin, ai është vetizoluar dhe do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia, online. Ndërsa, stafi i Zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokollove të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërkohë, agjenda e punës e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet. Kryeministri Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeministrat”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

Për jo vetëizolim Hoti u akuzua edhe nga deputetja e VV-së, Mimoza Kusari Lila e cila kërkoi edhe shkarkimin e tij.

Hoti deputetes të VV-së ju kundërpërgjigj duke i thënë se është vetëizoluar menjëherë pasi ka bërë testin.

E për këtë akuzë të Kusari Lilës reagoi edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili reagimin e Kusari Lilës e quajti kanibalizëm politik.

“Të ngritesh në mëngjes e ta kërcënosh Kryeministrin se do të shkarkojmë, pse të ka kapur virusi një ditë më parë, është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore. A thua kështu i edukojmë fëmijët!!”, ka shkruar Mustafa./Gazeta inFokus/

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera