Lajme

Zyra e Kryeministrit blen me paratë tona një iPhone – çmimi vetëm 890 euro

Autori: Gazeta inFokus 21:02 | 07 February 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, brenda 6 muajve të qeverisjes ka blerë dy herë telefona të mençur për zyrën e tij, duke shpenzuar mijëra euro. Blerjen e parë, në vlerë prej 8 mijë eurosh, zyra e shefit të qeverisë e ka bërë fiks një javë pasi ka filluar punën. Një iPhone, në vlerë prej 890 eurosh, është blerë edhe sot.

Personeli i zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në javën e parë të fillimit të punës ishte shpërblyer me nga një “dhuratë”.

Ndonëse nuk ishte bërë ende një javë që kishin filluar punën, atyre u patën blerë nga një telefon i ri.

-Advertisement-

Në njoftimin e publikuar në KRPP ishte treguar se Zyra e Kryeministrit për “Furnizim me telefona mobilë”, ka shpenzuar fiks 8 mijë euro.

Blerja e tyre ishte kritikuar fort nga shoqëria civile e njerëz të politikes. Por, në Qeverinë e Kosovës patën thënë se blerja e telefonave të mençur ishte e domosdoshme.

“Telefoni celular sot konsiderohet mjet pune për një profil të caktuar të punonjësve në Kryeministri dhe jo mall luksi siç pretendoni ju. Prandaj është vendosur, që në përputhje me normat e prokurimit publik, të shpallet tender për 14 telefona celularë, me të cilët do të pajiset stafi për komunikimit publik dhe ai politik”, thuhej në një sqarim të zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express dhënë muaj më parë.

Mirëpo, blerja e telefonave të mençur nuk ka përfunduar këtu.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës edhe sot është furnizuar me një telefon të mençur -iPhone.

Në njoftimin e bërë në KRPP nuk është treguar se kujt i blihet ky telefon, veç se është treguar se ai kushton jo më pak se 890 euro.

“Zyra e Kryeministrit. Furnizim me Iphone Numri i tenderëve te përgjegjshëm: (3 ). Fituesi i tenderit është kompania “MOBI  GEGA”.  Vlera e përgjithshme e kontratës: € 890.00”, thuhet ne njoftimin e bërë në KRPP.

Në fund është treguar se kontrata mes kompanisë fituese dhe zyrës së kryeministrit është nënshkruar më 05.02.2018.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera