Lajme

ZRrE sërish nuk e përjashton ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 19 July 2022

Tarifat për energjinë elektrike mund të rriten sërish gjatë këtij viti, varësisht prej krizës energjetike dhe importit në muajt e dimrit.

Pas takimit që grupi parlamentar i AAK-së, pati të martën me bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energjinë, u tha se aktualisht ka furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, mirëpo kurdo që ka rritje të importit të energjisë elektrike, kostot duhet të reflektohen. Një gjë e tillë u kundërshtua nga partia e Ramush Haradinajt, teksa theksuan nevojën e përgatitjeve institucionale për të përballuar krizën energjetike.

Kryesuesi bordit të ZRrE-së, Ymer Zejnullahu, tha se aktualisht nuk janë plotësuar kriteret për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave, por nuk përjashtohet një gjë e tillë në të ardhmen.

-Advertisement-

“Ato varen prej çmimeve të importit dhe çmimet e importit varen prej bursave ndërkombëtare, prandaj kurdo që plotësohen kërkesat ligjore, aktualisht ende s’janë plotësuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm edhe për këtë vit. Ne e kemi përmbyllur një shqyrtim të jashtëzakonshëm në shkurt të këtij viti dhe jemi duke pasur një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Jemi duke përgatitur për furnizim me energjie elektrike edhe për vitin e ardhshëm me potencialet që i kemi me gjeneratorët vendor…Legjislacioni e thotë ashtu, kurdo duhet të reflektohen kostot. Ne në përfundim të vitit të kaluar e kemi hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm dhe kemi përmbushur në shkurt të këtij viti. Aktualisht deri më tani nuk janë plotësuar kërkesat ose kriteret ligjore për një shqyrtim tjetër të jashtëzakonshëm. Prandaj kjo është përgjigja që mundem me dhënë deri në këtë moment. Por përjashtim nuk bëhet kurdo herë, pasi nuk varen prej ZRrE-së dhe prej çmimeve të energjisë dhe gazit”, theksoi ai.

Këtë e kundërshtoi shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se këtë ia ka thënë edhe ZRrE-së.

“Si grup parlamentar e kemi kundërshtuar çfarëdo ngritje të çmimit të energjisë. Qytetari i Kosovës më nuk ka mundësi me përballu një ngritje të energjisë. Ajo çka jemi informuar është se planifikimi me këto tarifa dhe subvencionimin që vjen nga qeveria, që ende nuk është disburusar, rrjedhimisht këto tarifa të rrinë dhe mos të ketë ngritje të çmimit të energjisë…Neve na u ofruan informacione të sakta të raportit mes importit dhe eksportit. Mirëpo na u sjell edhe argumentet se situata mundet me u vështirësuar, por kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, nuk duhet të ketë ngritje të çmimeve, pasi qytetari nuk mundet me përballu”, tha ai.

Ndërsa, deputeti tjetër i AAK-së, Bekë Berisha, kërkoi përgatitje të institucioneve për të përballuar krizën energjetike.

“Kryesuesi dhe ZRrE-ja nuk mundet me na siguru që nuk do të ketë ngritje të çmimeve. Si trend dhe në Evropë, si ka shembuj shihet se duhet të ketë mobilizim. Në shtetet sikur Gjermania dhe shtetet perëndimore parapërgatiten me forma alternative për ngrohje, kjo duhet të jetë një shenjë edhe për neve që me u përgatit për ngritje të çmimeve dhe për me gjetur forma alternative për ngrohje dhe të gjitha”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetarët, kryesuesi i bordit të ZRrE-së, foli edhe për zbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen në veri, për çka tha se pika e dytë e saj ende nuk po zbatohet nga Elektroserver.

“Pika e dytë ende nuk është zbatuar sipas afatit, tash pikat e tjera janë të përfshira në këtë udhërrëfyes, por pika e dytë në këtë marrëveshje nuk është zbatuar sipas afatit të paraparë. Nëse e shikoni sipas marrëveshjesh, aty pika nëntë e shpjegon shumë qartë se cilat janë veprimet e ZRrE-së”, theksoi ai.

Zbatim të këtij udhërrëfyesi kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Aty është një udhërrëfyes, ne kërkuam që pikat e udhërrëfyesit të zbatohen. Dy janë zbatuar, regjistrimi ka qenë, licencimi është bërë nga kjo zyre, mirëpo Elektroserver ende nuk i ka dorëzuar listat e konsumatorëve që duhet t’i ketë në posedim ky institucion dhe institucionet e Kosovës, në mënyrë që të fillojë inkasomi”, theksoi ai./kp

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera