Ekonomi

ZRRE pranon se “Kelkos” dhe hidrocentraleve tjera u është lejuar puna edhe pa licencë

Autori: Gazeta inFokus 14:33 | 27 October 2020

Mbi 20 hidrocentraleve, ndër to edhe “Kelkosit” u është lejuar operimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) pa licencë.

Një gjë e tillë është konfirmuar sot gjatë raportimit të kryesuesit të Bordit të ZRRE-së Arsim Janova në Komisionin për Ekonomi lidhur me funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Ai ka thënë se janë treguar tolerantë me ata prodhues të energjisë që i kanë pasur lejet tjera.

-Advertisement-

“Nuk po e mohoj atë që e kemi lejuar. Ka qenë një tolerancë që ndoshta nuk është dashur, por s’ka qenë vetëm ky gjeneratorë. Kemi edhe 23-24 gjeneratorë të tjerë. Mirëpo, në aspektin mjedisor duhet të adresohet se ka bërë dëme nga ministria përkatëse. Sa i përket konsumatorëve, nuk iu kemi bërë dëm”, tha ai.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka pyetur Janovën se cilat masa do të ndërmerren ndaj operatorëve pa licencë ose cilat masa janë ndërmarrë për operimin ilegal.

“A keni dosje të “Kelkosit” ju në ZRRE? Çka është shumë me rëndësi ta dimë, pse një operator i cili vepron jashtëligjshëm për një vit furnizon manastirin e Deçanit me rrymën e pa faturuar. Operon, vendos rrymë në sistem për dy vjet nga operatorë që nuk kanë licencë, përfshirë këtu që s’kanë as procedurë të nisur. Prandaj, pse ju i zgjatni në vazhdimësi lejet përkundër faktit që prej vitit 2016 është diskutuar çështja e lejes mjedisore për kompaninë në fjalë”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, pas pyetjes së deputetes Kusari-Lila se a është sanksionuar “Kelkos” për hidrocentrale ilegale, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së Janova tha se penalizmi ka ndodhur vetëm me ndërprerjen e tërësishme të veprimtarisë së “Kelkos”.

Ai përmendi si pengesë kryesore për licencim mos koordinimin e institucioneve përkatëse, dhe se “Kelkos” është pa licencë si pasojë e mungesës së lejes mjedisore.

Ndërkohë që në mbledhjen e Komisionit ishte paraparë të raportojë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme, gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në ndërmarrjen Trepça, ai nuk ishte serish i pranishëm.

Edhe pse Kuçi kishte deleguar zëvendësin e tij Rexhep Kadriu për raportim, një gjë e tillë nuk u lejua nga kryetari i Komisionit Endrit Shala, i cili tha se në raportim para anëtarëve të komisionit duhet të jetë i pranishëm vetë ministri.

“Prania e të autorizuarve të tjerë, në këtë rast e zëvendës ministrave nuk pranohet në këtë Komision nga ana jonë si deputet. Kështu që këtë pikë të rendit të ditës e shtyjmë për një mbledhje tjetër kur ministri do të jetë i pranishëm në raportimin për çështjen e emërimeve të fundit në bordet e ndërmarrjeve publike dhe gjendjen në ndërmarrjen Trepça”, tha Shala.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera