Lajme

Zonja e Parë e Amerikës vizitoi refugjatët ukrainas në Sllovaki

Autori: Gazeta inFokus 19:18 | 08 May 2022

Përpara se të shkonte në Ukrainë për t’u takuar me bashkëshorten e presidentit ukrainas, Zonja e Parë Jill Biden bisedoi nga afër me refugjatët ukrainas në pikat e pritjes në Sllovaki, si dhe në shkollat ku janë pranuar fëmijët ukrainas. Në Ditën e Nënës, ajo dëgjoi historitë e vajzave dhe nënave ukrainase në pjesën lindore të Sllovakisë, ku kanë kaluar me qindra mijëra refugjatë gjatë muajve të fundit.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Jill Biden vizitoi të dielën refugjatët ukrainas në qendrat e pritjes në Sllovaki. Refugjatët i përshkruan asaj se si iu larguan rrezikut të luftës që filloi Rusia në muajin shkurt.

Biden bisedoi me familjet refugjate, me vullnetarët dhe autoritetet lokale që punojnë në qytetin Kosice, në pjesën lindore të Sllovakisë, ku kanë kaluar me qindra mijëra refugjatë gjatë muajve të fundit.

-Advertisement-

Viktoria Kotucha, mësuese që erdhi nga qyteti ukrainas Uzhhorod së bashku me vajzën e saj 7-vjeçare Julia, tha se kur filloi lufta kuptuan se askund në Ukrainë nuk kishte më siguri.

Bashkëshorti i saj shërben tashmë në ushtri dhe lidhen për të folur kur shfaqet mundësia. Viktoria thotë se e patë të vështirë t’i shpjegonte luftën vajzës së saj.

Një nga gratë u shpreh se fëmijët duhet ta kuptojnë luftën. “Ata duhet ta kuptojnë përse ndodhemi këtu dhe përse po na ndihmojnë; përse jemi veçuar nga burrat tanë. Duhet ta kuptojnë se ç’po ndodh”, tha ajo.

Gjatë një vizite tek një qendër krize për refugjatët të ngritur në një stacion autobusësh, zonja Biden pati mundësinë të bisedojë me refugjatë të larguar nga qytete si Zaporizhia dhe Kievi.

Mbi 400 mijë refugjatë kanë kaluar kufirin sllovak që kur filloi sulmi i Rusisë, përgjithësisht gra dhe fëmijë.

Pjesa më e madhe vazhdojnë udhëtimin drejt vendeve të tjera, por mbi 74 mijë kanë marrë statusin e refugjatëve të mbrojtur në Sllovaki, e cila ka një popullsi prej 5.5 milionësh.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera