Lajme

ZKA-ja prezanton rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023

Autori: Gazeta inFokus 18:34 | 30 August 2024

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se  auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe zëvendësauditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj kanë prezantuar rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës.

Në këtë komunikatë thuhet se Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

Spanca ka bërë të ditur se raporti përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e  rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024.

-Advertisement-

Në komunikatë thuhet se ajo gjithashtu ka treguar se për RVA-në është dhënë opinion i modifikuar përkatësisht opinion i kualifikuar për shkak se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë. Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat kemi dhënë po aq rekomandime”, ka thënë ajo.

  • Auditorja e Përgjithshme prezantoi edhe informatat lidhur me dërgimin e rasteve me elemente potenciale të veprës penale në Prokurorinë e Shtetit.

“Ajo tregoi se nga analizimi i 60 raporteve të auditimit financiar ku përfshihen ministritë, komunat dhe disa institucione të pavarura janë evidentuar 52 raste të dyshimit të cilat janë dërguar te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm”.

“Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi rezultatet dhe rekomandimet e tri auditimeve të performancës: “Menaxhimi i pronave/tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës”, “Listat e pritjes në institucionet shëndetësore publike” si dhe “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking”, thuhet tutje në komunikatë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera