Lajme

Zhvillime dramatike në javën e parë të fillimvitit 2022

Autori: Elvira Haxhiu 15:39 | 08 January 2022

Tashmë ka kaluar një javë që nga fillimi i vitit 2022. Java filloi e qetë, por ngjarjet që pasuan, dramatizuan atë, shkruan Gazeta Infokus.

Një nga ngjarjet e para me peshë ishte vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për kriptovalutat

Të martën e 4 janarit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori një vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë.

-Advertisement-

Rizvanolli njoftoi se këtë vendim e ka marrë me rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë se një vendim i tillë është marrë për shkak se prodhimi i kriptovalutave shpenzon sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike dhe gjë që e rëndon edhe më shumë situatën me krizën energjetike në vend.

E ndalimin e kësaj veprimtarie nga ky dikaster nuk e shohin si shumë shqetësues për disa arsye.

“Kjo veprimtari nuk shpie tek punësimi i fuqisë punëtore, si dhe prodhuesit e kriptovalutave nuk paguajnë taksa për këtë aktivitet në Republikën e Kosovës, pasi kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj”, kanë thënë nga Ministria e Ekonomisë.

Gjithashtu, nga kjo ministri thanë se prodhimi i një kriptovalute konsumon energji sa afro 19 shtëpi Kosovare mesatare në vit.

Kurse një ngjarje që e dramatizoi javën ishte vrasja tragjike e gruas nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt

Vrasja e Lirije Qerimajt, të mërkurën e 5 janarit në Llaushë, të Skenderajt, tronditi tërë Kosovën. Ajo u qëllua me gjashtë plumba nga burri i saj, duke e lënë atë pa shenja jete.

Policia njoftoi se i dyshuari për vrasje është arrestuar nga i cili janë konfiskuar një pistoletë me tre fishekë. Ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja të plumbit.

“Pas intervistimit të dyshuarit S.Q,.51 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor”, njoftoi policia.

E për këtë vrasje Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkoi që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPRK, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Pesë ditë para vrasjes, viktima e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj Skender Qerimaj në Policinë e Kosovës.

E për të kërkuar drejtësi për Lirijen, të premten e 7 janarit, u organizua protestë nga Organizata Joqeveritare “Gratë Intelektuale të Drenicës”.

Protestuesit kërkuan shkarkimin e komandantit të policisë dhe prokurorit. Kjo protestë u përcoll me thirrje të ndryshme kundër dhunës dhe vrasjeve ndaj grave.

“Boll ma”, “Duam siguri”, “Stop vrasjeve të grave” e “Nuk është trim ai që e vret gruan”, ishin disa nga thirrjet e protestueseve. Lidhur me vrasjen e Lirije Qerimajt reaguan edhe shumë figura publike.

Ndërsa edhe një aksion tjetër nga Policia e Kosovës, si vazhdimësi e aksionit të mëhershëm ‘Brezovica’, që qoi në pranga 4 persona dhe 5 të tjerë ende janë në kërkim.

Ditën e enjte të 6 janarit e karakterizoi aksioni i Prokurorisë Themelore të Ferizajt në bashkëpunim më Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Aksioni i quajtur ‘Brezovica’ u zhvillua në tri lokacione të ndryshme, konkretisht në Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë, si dhe në hapësirat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, njoftoi se në këtë aksion janë arrestuar katër persona, ku njëri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt dhe tre janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Kurse, pesë persona të tjerë ende janë në kërkim nga policia.

Në mesin e të arrestuarave është kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Qitaku, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Si prova materiale policia ka konfiskuar një veturë BMW X1, armë CZE dhe ZASTAVA, 163 fishekë, një kuti me armë, një karikator i zbrazët, një shtëpizë, një jelek anti-plumb, uniformë me mbishkrimin e ish sistemit jugosllav, USB, dokumente, etj.

Prokurori i rastit Rasim Maloku, ka thënë se nga ky aksion kanë ngrirë gjashtë milionë euro nga të pandehurit dhe familjarët e tyre.

“Deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se kanë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale”, ka thënë ai.

Maloku gjithashtu tha se ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim

Kujtojmë se një aksion i tillë ishte zhvilluar edhe më 21 dhjetor të vitit të kaluar, ku u arrestuan dhjetë zyrtarë. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Në fund të javës Kadri Veseli i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë, mori një lajm të rëndë, atë të vdekjes së nënës së tij.

E ëma e Kadriut, Ajshe Veseli vdiq të premten e 7 janarit në moshën 93 vjeçare.

Varrimi i saj u bë po në këtë ditë, pa praninë e birit të saj, i cili po mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, nën dyshimin për krime lufte.

Nga kjo gjykatë për Gazetën Infokus kanë thënë se të paraburgosurve u mundësohet që të bëjnë kërkesa për lirim për arsye humanitare.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për këto kërkesa”, u tha në përgjigjen e Dhomave të Specializuara në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 2021, Veseli kishte humbur edhe babain, derisa gjendej po ashtu në paraburgim.

Mirëpo aso kohe ai ishte liruar përkohësisht për të marrë pjesë në të pamën e të atit të tij por nuk kishte arritur edhe për varrim./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera