Lajme

Zgjedhjet në BE, anketimet paraprake në Gjermani dhe Holandë tregojnë zhvendosjen drejt të djathtës ekstreme

Autori: Gazeta inFokus 07:11 | 10 June 2024

Anketimet pak përpara përfundimit të votimeve në zgjedhjet evropiane tregojnë se e djathta e skajshme do të forcojë pozitat në Parlamentin Evropian, pavarësisht një sërë skandalesh në Gjermani, vendi më i madh i bllokut evropian.

Anketimet në Gjermani tregojnë se Alternativa për Gjermaninë do të shënojë rritje, me 16.5 për qind të votave, ndërsa koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Kancelari social-demokrat Olaf Scholz ka humbur.

Në Itali votimi do të vazhdojë deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërkohë që shumë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk kanë publikuar ende asnjë rezultat.

-Advertisement-

Megjithatë, të dhënat nga anketimet pak para përfundimit të votimeve në Gjermani përputhen me anketimet e mëparshme që parashikojnë zhvendosjen drejt së djathtës së skajshme. Tematika e fushatës zgjedhore u mbizotërua nga lufta në Ukrainë, politikat klimatike dhe emigracioni.

Vlerësimet e para kryesore që vijnë nga zgjedhjet parlamentare të BE-së këtë të diel tregojnë se e djathta e vijës së ashpër do të ketë rritje në këtë legjislaturë, por gjithsesi partitë e qendrës mund të paraqiten më mirë se ç’pritej.

Goditja më e rëndë erdhi për të Gjelbërit në Gjermani, ku kjo parti ra nga 20 për qind në 12 për qind. Humbja atje mund të ketë ndikim në politikat e përgjithshme të BE-së për ndryshimet klimatike.

Blloku Kristian-Demokrat i qendrës së djathtë i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbizotëroi sondazhet në vendin më të populluar të bllokut me pothuajse 30 për qind, duke mposhtur Partinë Social-Demokrate të Kancelarit Olaf Scholz, e cila zbriti në 14 për qind, duke rënë madje dhe më poshtë partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë.

Anketimet pak përpara përfundimit të votimeve në Gjermani tregojnë se Alternativa për Gjermaninë u rrit në 16.5 për qind nga 11 për qind në 2019. Ndërkohë që të treja partitë e koalicionit qeveritar gjerman mezi mundën të sigurojnë 30 për qind të votave.

Një anketim jo zyrtar pak përpara përfundimit të votimeve në Holandë sugjeron se partia e ekstremit të djathtë e Geert Wilders, e cila kundërshton emigracionin pritet të shënojë fitore të madhe edhe pse koalicioni i partive pro-europiane ka të ngjarë ta spostojë atë në vend të dytë.

Në Francë, Presidenti Emmanuel Macron u përball me një humbje të madhe përballë partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.

Partia e saj, sipas anketimeve pak përpara përfundimit të votimeve fitoi rreth 32 për qind të votave, një rritje me 10 pikë në krahasim me vitin 2019.

Që nga zgjedhjet e fundit të BE-së në vitin 2019, partitë populliste ose të ekstremit të djathtë udhëheqin qeveritë në tri vende; Hungari, Sllovaki dhe Itali, si dhe janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në të tjera vende, përfshirë Suedinë, Finlandën dhe, së shpejti, Holandën./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera