Zgjedhjet e reja në veri, mundësi për de-eskalimin e situatës

Autori: Gazeta inFokus
11:29 | 03 June 2023
Propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, po konsiderohet si mundësi e mirë për de-eskalimin e situatës nga spektri politikë, por me kushtin që edhe Lista Serbe garanton për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Nga partia në pushtet thonë se kjo nuk është dorëzim, por e drejtë ligjore që qytetarët atje mund të përdorin për zgjedhje të reja. Në anën tjetër, në partitë opozitare potencojnë nevojën për shtensionimin e situatës në veri, por kritikojnë Qeverinë e Kosovës se po prapakthen funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri.
Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli thotë se Qeveria e Kosovës, por edhe Presidenca janë duke e bërë të pamundshmen për qetësimin e situatës në veri dhe përfundimin e protestave në tri komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Ai shton se pas diskutimeve të fundit me aleatët ndërkombëtar, zgjedhjet e reja në veri mund të konsiderohet si opsion, por gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Kosova nuk ka pasur rrugë tjetër përveç që t’i mbajë zgjedhjet dhe t’i mbushë këto institucione me përfaqësues, sado që ne e kuptojmë se është një përqindje e daljes në zgjedhje e ulët, po ashtu duhet të kuptojmë se është e drejtë e qytetarëve që të kenë përfaqësuesit e tyre legjitim. Në këtë kontekst, mendoj se qeveria është duke bërë të pamundshëm, po ashtu edhe presidenca për të bërë qetësimin e situatës. Por, është e padrejtë që tërë presionin apo kritika të drejtohet ndaj Kosovës, pasi Kosova nuk është shkaktare e kësaj krize, Kosova nuk ka shkuar me i pushtuar komunat dhe me largu askënd prej komunave, por janë vet ata që i kanë lëshuar komunat… Gjithmonë në kuadër të ligjit, qytetarët kanë të drejtë të ngritin një peticion dhe 20 për qind e votuese mund të kërkojnë zgjedhjet e reja. Institucionet tona vendimmarrëse kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojnë me vëmendje këto kërkesa. Asesi kjo nuk është dorëzim por është një e drejtë shumë legjitime e qytetarëve”, deklaron ai.
Zgjidhjen e situatës në veri e quan emergjencë edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu. Ajo thotë se qasja e njëanshme e kryeministrit Kurti për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri, sado që është e ligjshme nuk mund të bëhet pa një koordinim me ndërkombëtarët.
“Ne jemi të vetëdijshëm që në veri funksionojnë ende strukturat kriminale dhe bandat që janë të joshura dhe nxitura nga Serbia. Por, një qasje e tillë e njëanshme, e cila nuk është bërë në koordinim me partnerët e zhvendos pozicionin e Kosovës në një pozicion, i cili nuk është në përputhje dhe harmoni me aleatët, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën. Kjo qasje e njëanshme e kryeministrit për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri sado që është e ligjshme dhe sado që është legjitime dhe kushtetuese nuk mund të bëhet pa një koordinim… Bojkoti që e ka bërë Lista Serbe e ka pamundësuar funksionimin e zgjedhjeve në atë pjesë. Kosova është prapakthyer në funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri, sado që është dukur një fitore e vogël kjo që ka ndodhur për kryeministrin. Por, prapakthimi i Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të vendit po shihet çdo ditë e më shumë. Kur kjo bëhet edhe me ankesa ose sanksione të drejtpërdrejta të aleatëve tanë, siç ishte deklarata e sekretarit Blinken, atëherë kjo ka peshë edhe më të madhe dhe është e dhimbshme për Kosovën”, thekson Deliu.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj deklaron se Qeverisë së Kosovës i takon të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri apo jo. Ajo shton se si parti opozitare do të përkrahin atë që është më e mirë për Kosovën.
“Sa herë që zotëri Kurti gjendet në një situatë që duhet të jetë vendimmarrës për shkak se është kryeministër i vendit, ai e bënë një zhvillim të tillë që dialogun të kthejë në pikën zero… Kurti duhet të konsultohet edhe me aleatët tanë, ne e pamë edhe në takimin që e kishte presidentja e vendit me Macron dhe Scholz, ku ishte një propozim që të mbahen zgjedhjet e reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb. Mbetet që kjo qeveri të vendosë dhe t’i organizojë. Ne do të përkrahim atë që është e mirë për Kosovën”, deklaron ajo.
Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Seb Bytyçi kërkon nga Qeveria e Kosovës të koordinohet me aleatët ndërkombëtar të Kosovës, për çfarëdo zgjidhjeje të shtensionimit të situatës në veri.
“Situata në veri është një thirrje për vëmendje nga ana e Kosovës, për shkak se janë toleruar nga shtetet perëndimore deklaratat e Serbisë kundër marrëveshjes dhe veprimet e marrëveshjes Bruksel-Ohër. Kështu që, kjo gjë ka shkaktuar frustrime në Kosovë dhe rrjedhimisht Kosova e ndjen se duhet të bëjë diçka për të marrë më shumë vëmendje nga shtetet perëndimore….Gjithashtu, është e rëndësishme që të koordinojë veprimet me miqtë ndërkombëtar dhe të punojë që vazhdimisht t’i bindë ata që të mirëkuptojnë qasjen e Kosovës”, thotë Bytyçi.
Përndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se mund të bëhen zgjedhjet në veri, duke respektuar ligjet në fuqi. Ajo ka treguar edhe disa procedura që duhet përmbushur.
“Korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë”, ka thënë ajo për KP.
Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.
Si pasojë e tensioneve atje, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka paraqitur tri kërkesa për de-eskalimin e situatës në veri.
Ai ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Anëtarësohu në grupin e Infokus në Viber: GAZETA INFOKUS – VIBER – ANTARËSOHU
Dhe në grupin e Infokus në Facebook: GAZETA INFOKUS – FACEBOOK – ANTARËSOHU

Të tjera
-
Arrestohet gjilanasi, e shantazhonte një grua për publikimin e videove intime
Një grua ka raportuar në polici se po shantazhohet nga disa persona në rrjete...
-
Grabitet një punëtor i një poste të shpejtë në Pejë, iu vodh çanta me rreth 2 mijë euro në të
Është grabitur një punëtor i një postë të shpejtë në Pejë, i cili ka raportua...
-
4 miliardë e 729 milionë, vlera e kredive nëpër banka
4 miliardë e 729.6 milionë është vlera e kredive të kosovarëve nëpër bankat k...
-
Incidenti i së martës në Rahovec: Vdes njëri nga dy të plagosurit
Ka vdekur njëri nga dy të plagosurit në Rahovec të cilët u qëlluan me armë zj...
-
Subvencionimi për pajisje efiçiente për ngrohje, detaje se si mund të aplikojnë qytetarët
Më 22 shtator, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka hapur thirrjen publike...
-
Muharremi ironizon LVV-në për njoftimin e subvencionimeve: Paska ba pare LVV pasi që po shpërndanë subvencione
Njohësi i çështjeve evropiane, Shenoll Muharremi, ka kritikuat partinë në pus...
-
Rruga “Tahir Zajmi” në Prishtinë bëhet me ndriçim publik
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se rruga “T...
-
Të shtunën fillon stina e vjeshtës, IHMK tregon çfarë moti do të mbajë në fundjavë
Të shtunën fillon stina e vjeshtës në orën 08:50 min, por kjo ditë sipas Inst...
-
Begaj: Prishtina të ndjekë sugjerimet e SHBA-ve për dialogun me Serbinë, nuk kemi nevojë për vetizolim
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nxit krerët shtetërorë në Kosovë q...
-
Kurti takohet me kandidatët shqiptarë të partive të ndryshme zvicerane për zgjedhje
Pas takimit dypalësh me Presidentin e Zvicrës, Alain Berset, kryeministri i K...
-
Shefi i EULEX-it për shpërthimin në veri: Incidente të tilla tregojnë se sa e paqëndrueshme është situata
Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar pas shpërthim...
-
Shkoi në gjendje të dehur në stacion policor në Prishtinë, gruaja “rrahu” tre policë
Një grua që shkoi në polici për t’u ankuar për një ngjarje që i ndodh...