Lajme

Zgjedhjet e LDK-së në Podujevë, akuzon sërish Veliu: U shkel çdo dispozitë e Statutit të partisë

Autori: Gazeta inFokus 16:25 | 30 June 2023

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka reaguar sërish për procesin zgjedhor të kësaj partie në Podujevë, duke akuzuar rëndë kryetarin e sapo zgjedhur të degës, Ekrem Hysenin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Veliu procesin zgjedhor e ka cilësuar të manipuluar, ndërsa ka thënë se është kaluar çdo limit duke shkuar deri në absurd.

Sipas tij, në këtë proces është shkelur çdo dispozitë e Statutit të LDK-së e rregullore pune.

-Advertisement-

“Duke shkelur dispozitën statutore mbi bazën deleguese kontrabanduan për Kuvendin e Degës edhe delegatë nga një fshat në zonën e thellë malore në Sylevicë, që tash e disa vite nuk ka asnjë banor dhe ekziston vetëm në hartë”, ka shkruar ai në Facebook.

“Nga nëndega që është shuar nga viti 2006, ekipi i kryemanipulatorit në mes maleve të Sylevicës përmes ‘kuvendit të dhelprave e lepujve’ ia siguruan ‘dokut’ një delegat në degë dhe shefit të tij Lumirit në Kuvendin Qendror, duke e kontrabanduar Bujar Gimollin përmes nëndegës fiktive në Zhiti (në të cilën për shkak të numrit të vogël të banorëve LDK-ja gjithashtu tash e disa vite nuk ka strukturë të organizuar)”.

“Për dijeninë e anëtarësisë dhe votuesve të LDK-së, delegati klandestin i dr.manipulatorit dhe Lumirit në zgjedhjet e parafundit të LDK-së u delegua në Kuvend të Degës nga një nëndegë e qytetit, në lagjen ku jeton tash e disa vite. Kësaj radhe, pasi dështoi të përbirohet si delegat në nëndegën e qytetit të cilës i takon. Por, Gimolli – që në kabinetin e Lumirit është i sistemuar me vendim si Shef i propagandës nuk guxonte të mbetej jashtë strukturave dhe ekipit të dr.manipulatorit dhe shefit të tij në Prishtinë, prandaj duhej kontrabanduar, qoftë edhe përmes nëndegës që nuk ekziston”.

Veliu tutje ka thënë se ky është vetëm njëri nga shumë delegatët jo legjitim “të kontrabanduar në mënyrë kundër statutore në maskarallëkun zgjedhor të onkologut kancerogjen”, shkruan Telegrafi.

“Kronika e manipulimeve të shumta të procesit zgjedhor të LDK-së në Llap ka episode edhe më të errëta se kjo e kontrabandimit të delegatit nga fshati pa banorë”.

Anëtarësisë dhe simpatizantëve të LDK-së ai ka thënë se do t’u ofrojë edhe dëshmi e prova të filmuara “se si e degjeneruan krejt procesin argatët e Lumirit përmes bandës së dr.manipulatorit për t’ua siguruar votat që ata të qëndrojnë në krye të grupeve të tyre, qoftë edhe përmes mercenarëve, deri në përmbylljen e misionit – zhbërjen e LDK-së”.

Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i LDK-së në Podujevë para një jave, në procesin e brendshëm zgjedhor që ka filluar në nivel të Kosovës, në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera