Lajme

Zgjedhjet dhe frika nga manipulimet

Autori: Gazeta inFokus 15:23 | 01 June 2017

Nisja e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 11 qershor, ka shtuar thirrjet e organizatave vendore e ndërkombëtare për zgjedhje të lira e demokratike.

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian në Kosovë (OSBE), Jan Braathu, ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku ka thënë se ndihet i lumtur që Kosova po ecën shpejt në proceset përpara, përfshi edhe organizimin e zgjedhjeve të lira.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë është këtu për ju. Nëse na thoni se nuk keni nevojë për ndihmën tonë, kjo do të ishte perfekte dhe do të isha i lumtur”, tha Braathu.

-Advertisement-

Ai i ka ofruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndihmën e plotë në procesin aktual zgjedhor. Ndihma e OSBE-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve shihet e nevojshëm sidomos në pjesën veriore të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se zvogëlimi i rolit të OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve duhet të shihet si shumë pozitiv dhe tregues së Kosova është e aftë të organizojë zgjedhje të lira e demokratike.

Sidoqoftë, ajo ka mirëpritur ndihmën e OSBE-së për organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Roli i OSBE-së do të jetë i kufizuar dhe shprehet përmes përkrahjes që i jepet KQZ-së në katër komuna, dhe atë sa u përket këshillave teknike të komisioneve komunale të zgjedhjeve dhe mbështetje teknike në ditën e votimeve”, ka thënë Daka.

Paraprakisht, KQZ-në e kanë vizituar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalia Apostolova, të cilët i kanë dhënë mbështetje të plotë me mesazhet drejtuar partive politike që t’i respektojnë ligjet dhe rregullat për zgjedhje.

Përparimin e Kosovës në organizimin e zgjedhjeve e kanë lavdëruar përfaqësues vendorë e ndërkombëtar. Koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, Demokracia në Veprim, ka nisur aktivitetet vëzhguese.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bën pjesë në koalicionin Demokracia në Veprim, thotë se krahas përparimeve në fushën e administrimit të procesit, ka tendenca, megjithatë, që partitë politike t’i avancojnë teknikat e tyre.

“Në dy palë zgjedhjet e fundit, në ato lokale më 2013 dhe ato parlamentare më 2014, procesi ka avancuar shumë sa i përket administrimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo, sado që ka avancuar procesi i administrimit të zgjedhjeve kanë avancuar edhe teknikat e partive politike për manipulimin e rezultateve.

“Pra, manipulimi nuk është diçka që ndodhë vetëm në ditën e zgjedhjeve, por është një proces që ndodhë edhe më herët”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, në Kosovë ka mbërritur dhe Misioni Vëzhgues nga Bashkimi Evropian.

Shefi i Misionit, Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian, do të prezantojë të premten në Prishtinë angazhimin që do të ketë ky mision gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në ditën e parë të fushatës, partitë politike kanë adresuar mesazhe për një Kosovë të zhvilluar, për zbutjen e papunësisë, përmirësimin e kushteve për të bërë biznes, si dhe përmirësim të kushteve për investitorët e jashtëm. Po ashtu, është premtuar ngritje e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë.

Ndërkaq, nuk kanë munguar as zotimet për sundim të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, liberalizimin e vizave dhe vazhdimin e rrugës për integrim në Bashkimin Evropian, organizatat ndërkombëtare dhe në NATO.

Me nisjen e fushatës, Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një deklarate, u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve politikë, që të përkushtohen për zgjedhje të lira e demokratike.

“Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime të besueshme lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politikë, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre mekanizmave”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane, e cila fton për një proces të qetë, të lirë e demokratik zgjedhor.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj. Të njëjtën ditë, Presidenti i Kosovës pati shpërndarë Kuvendin, kurse një ditë më vonë pati shpallur 11 qershorin, datën për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, pritet të garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera