Lajme

Zemaj: Ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia

Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 14 September 2020

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka uruar gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Zemaj thotë se natyrshëm ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemi, e për çka thotë se duhet angazhim më i madh si dhe respektim të masave mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Dita e parë e shkollës është moment që reflekton rolin madhor që ka edukimi në shoqëri ndërsa rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve. Urime për të gjithë nxënësit! Paçin një fillim të mbarë, shëndet, suksese, më shumë dije dhe rezultate pozitive! Mëngjesin e sotëm gjatë vizitës që i bëra shkollës “Iliria” në Prishtinë pashë se në këto kushte pandemie, gjithnjë sipas udhëzimeve, janë bërë të gjitha përgatitjet, dezinfektimi i hapësirave shkollore, shenjëzimet paralajmëruese, në klasa është bërë reduktimi i numrit të nxënësve për të ruajtur distancën fizike, nxënësit bartnin maska si dhe në hapësira të caktuara ishin vendosur dezinfektues”, ka shkruar Zemaj.

-Advertisement-

Ai ka shtuar edhe se MSH bashkë me gjitha akterët e tjerë janë të përkushtuar që ta menaxhojnë situatën e krijuar nga COVID-19.

“Edhe njëherë dua të konfirmoj nga këtu që Ministria e Shëndetësisë, bashkë edhe me të gjithë akterët e tjerë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë proces, jemi maksimalisht të përkushtuar që ta menaxhojmë sa më mirë situatën. Natyrshëm që ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masava parandaluese të virusit. Suksese të gjithëve! Vendosni maskën! Kujdesuni për higjienën! Ruajeni distancën!”, përfundon shkrimi i Zemajt.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera