Lajme

Zemaj: Kjo qeveri është e padrejtë, përveç për nipat e mbesat që përfunduan nëpër ministri e qeveri

Autori: Gazeta inFokus 19:15 | 24 July 2021

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë, për të cilën tha se i largoi më shumë se 475 profesionistë shëndetësorë nga puna.

Sipas tij, ende qytetarët e Kosovës kanë nevojë për shërbimet e tyre, pasi thotë se ende nuk ka përfunduar pandemia.

“Për Zotin, pushteti i kuq fort ia ka huq! Ministria e  Shëndetësisë i largoi më shumë se 475 profesionistë shëndetësorë nga puna, thuajse ka kaluar pandemia. U veprua keq ndaj tyre, por edhe më keq ndaj qytetarëve që ende kanë nevojë për shërbimet e tyre. Shkurt e shqip: krejt e padrejtë, ngase krejtve iu bë  padrejtë.  Sa shumë u gëzuam kur këta profesionistë u bën pjesë e frontit të përbashkët në luftimin e armikut global, Covid-19. Sa shumë punë dhe kontribut dhanë në rrethana të jashtëzakonshme. Edhe më shumë kishin për të dhënë por, nuk i lejuan, i dënuan, i dëbuan”, shkroi Zemaj në një postim në Facebook.

-Advertisement-

Ai thotë se është i kënaqur që në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, u pranuan 1 mijë e 500 specializantë, ndërsa thotë se është më i knaqur që sot nuk mund t’i largojnë.

“Isha i kënaqur dhe i lumtur kur në mandatin tim u pranuan edhe 1500 specializantë, kurse sot, jam super i kënaqur dhe super i lumtur jo vetëm që u pranuan, por edhe që nuk mund t’i dënojnë dhe t’i largojnë. Ndërkaq, tashmë është e qartë se nëse do të kishin mundësi kurrë as nuk do t’i pranonin. Po, kurrë nuk do t’i pranonin. Do t’i injoronin, do t’i poshtëronin, derisa një ditë ata do të iknin nga vendi i tyre për t’i plotësuar nevojat e shëndetësisë së shteteve tjera.

Me pak fjalë, kjo qeveri është krejt e padrejtë, sepse krejtve padrejtë ka me iu bë, përpos nipave, mbesave e familjarëve të tyre, të cilët ishin projektuar e proklamuar për dasma e ahengje, mirëpo përfunduan nëpër ministri e qeveri”, thuhet në postimin e ish-ministrit të Shëndetësisë. 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera