Lajme

Zelensky: Ukraina ka dyfishuar tokën e rimarrë

Autori: Gazeta inFokus 11:15 | 11 September 2022

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat e tij kanë rimarrë 2.000 kilometra katrorë në kuadër të kundërofensivës së nisur në lindje të Ukrainës.

Përparimet e shpejta të Ukrainës përfshijnë edhe hyrjen e trupave të saj në qytezat Izjum dhe Kupiansk të shtunën.

Mirëpo zyrtarë britanikë të Mbrojtjes kanë paralajmëruar se luftimet e ashpra kanë vazhduar jashtë këtyre qytezave.

-Advertisement-

Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar tërheqjen e forcave të saj, duke thënë se ky vendim është marrë për t’ua mundësuar ushtarëve “rigrupimin” në territorin e kontrolluar nga separatistët e mbështetur prej Moskës.

Ministria ruse ka konfirmuar edhe tërheqjen e trupave të saj në qytezën e tretë, Balakja, me qëllim të “rritjes së përforcimeve” në frontin e Donjeckut.

Ushtria ukrainase kanë thënë se ka hyrë në këtë qytezë të premten.

Ndërkohë, administrata e instaluar nga Rusia në rajonin e Harkivit, u ka bërë thirrje banorëve që të evakuohen në Rusi “për të ruajtur jetët e tyre”.

Në disa pamje të paverifikuara në rrjetet sociale janë parë radhë të gjatë të njerëzve që ia kanë mësyrë kufirit.

Guvernatori i Belgorodit, rajon kufitar në Rusi, ka thënë se personave që evakuohen do t’iu sigurohet ushqimi, ngrohja dhe ndihma shëndetësore.

Shpejtësia e kundërsulmit ukrainas – të nisur këtë javë – nuk ka zënë në befasi vetëm rusët, por ka befasuar edhe shumë ukrainas.

Megjithatë, rusët ende besohet se zotërojnë një të pestën e Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera