Zelensky: Rusia po e shantazhon Evropën përmes gazit

Autori: Gazeta inFokus
10:29 | 26 July 2022
Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur “terror” ndaj njerëzve.
Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka bërë të ditur se do t’i zvogëlojë furnizimet me gaz në Gjermani, për shkak të punimeve në një turbinë në Rrjedhën Veriore 1.
Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo gjë përbën vetëm shantazh me gaz kundër Evropës.
Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1, që bart gazin nga Rusia në Gjermani, ka punuar nën kapacitetin që ka tash e sa javë.
Më herët gjatë këtij muaji, ky gazsjellës – më i madhi i Rusisë në Evropë – është mbyllur për shkak të punimeve 10-ditore, duke nxitur shqetësime në Evropë se ai mund të mos i rikthehet më punës.
Dërgesat kanë rinisur pesë ditë më parë – ndonëse me kapacitet të zvogëluar.
Mirëpo, të hënën, Gazprom-i ka thënë se do t’i ndalë furnizimet edhe një herë.
Këtë herë kompania ka thënë se i duhet të ndalë furnizimet gati përgjysmë, në mënyrë që t’i kryejë punimet.
Megjithatë, Qeveria gjermane ka thënë se nuk ka arsye teknike për të kufizuar furnizimet.
“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij ditor.
Ai ka thënë se Rusia me qëllim është duke e bërë më të vështirë për Evropën që të përgatitet për dimër, pa e marrë parasysh situatën, me të cilën mund të përballen njerëzit në atë stinë.
Bashkimi Evropian, i cili ka siguruar 40 për qind të gazit nga Rusia vitin e kaluar, e ka akuzuar Rusinë edhe për përdorim të energjisë si armë.
Lajmi për një tjetër zvogëlim të sasisë së gazit rrit presionin ndaj shteteve të BE-së që të ulin varësinë e tyre ndaj gazit rus.
Ky vendim, po ashtu, ua bën atyre edhe më të vështirë sigurimin e gazit për muajt e dimrit.
Ministrat evropianë të Energjisë do të takohen të martën në Bruksel, ku pritet të arrijnë pajtueshmëri për një përgjigje të përbashkët ndaj krizës.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian u ka propozuar vendeve anëtare që të zvogëlojnë për 15 për qind përdorimin e gazit në shtatë muajt e ardhshëm.
Shënjestra është prezantuar vetëm për vendet që duan të jenë vullnetare, ndonëse Komisioni mund ta bëjë atë të detyrueshme në rast të ndonjë emergjence.
Ndonëse disa shtete i kanë rezistuar planit, presioni në BE për të arritur marrëveshje është i lartë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më herët se ekziston mundësia që Rusia të ndalë plotësisht gazin për bllokun evropian.
Shefja e BE-së për Politika të Energjisë, Kadri Simson, ka kritikuar njoftimin e Gazpromit.
“Ne e dimë se nuk ka arsye teknike për të vepruar kështu. Ky është hap i motivuar politikisht dhe ne duhet të jemi gati për këtë gjë. Pikërisht për këtë gjë, kërkesa jonë parandaluese për zvogëlim të përdorimit është strategji e mençur”, ka thënë Simon, pasi ka arritur të martën në Bruksel.
Ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë, Jozef Sikela, ka paralajmëruar se një zvogëlim i tillë është i nevojshëm, sepse presidenti rus, Vladimir Putin “do të vazhdojë të luajë lojëra të ndyta sa u përket furnizimeve me gaz”.
Vendimi i Gazpromit “është një dëshmi shtesë, se ne duhet të marrim lojën në duart tona dhe duhet të ulim varësinë në furnizimet ruse, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Republika Çeke udhëheq presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm.
Prej nisjes së luftës në Ukrainë, nga ana e Rusisë, më 24 shkurt, çmimi i gazit është rritur dhe ky konflikt ka pasur ndikim në faturat e energjisë në gjithë botën.
Kremlini ka thënë se çmimet e larta janë rezultat i sanksioneve të Perëndimit, duke insistuar se është partner i besueshëm i energjisë dhe nuk është përgjegjës për pengesat e fundit në furnizimet me gaz.
Ndërkohë, Ukraina ende shpreson që marrëveshja e arritur me Rusinë, nën ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, do të nënkuptojë që eksportet e grurit të rinisin nga portet e Detit të Zi “brenda ditësh”.
“Nëse palët garantojnë siguri, marrëveshja do të zbatohet. Nëse jo, nuk do të zbatohet”, ka thënë ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov.
Në adresimin e tij ditor, Zelensky ka thënë se beson që eksportet e grurit nga Ukraina do të nisin sërish këtë javë.
Komentet e tij pasuan shqetësimet se marrëveshja mund të dështojë, meqë Rusia ka shënjestruar portin kyç të Ukrainës, Odesan, me raketa, ditën e shtunë.
Rreth 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në Ukrainë, në pamundësi për t’u bartur, sepse marina ruse kontrollon pjesën më të madhe të Detit të Zi./REL
Të tjera
-
Me 50 vota pro Parlamenti e rrëzon Qeverinë e Abazoviqit
Është rrëzuar nga pozita e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. ...
-
Në mes të territ Kosova e shet rrymën shumë herë më lirë
Telashet me energjinë elektrike, më saktësisht me reduktimet, i kanë dhënë zj...
-
Kosovarët që janë duke qëndruar pa autorizim në këto 7 shtete shpejt mund të kthehen në atdhe
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur sonte mbledhje elektronike, në të...
-
Deputetja Rrezarta Krasniqi i bënë një premtim publik Gazetës inFokus
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, deputetja e Lidhjes Demokrati...
-
Mblidhet Qeveria, miratohen tetë vendime
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën...
-
Ambasadori amerikan në Beograd për takimin në Bruksel: Serbia kishte “frymën e duhur” në dialog
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha se Serbia kishte “frymën e...
-
Kuvendi i Malit të Zi pritet të votojë, Abazoviq: Pas 30 minutave bie qeveria
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në seancën e Kuvendit e cila po v...
-
Deputetja Rrezarta Krasniqi tregon se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se kryeministri ...
-
EKSKLUZIVE: Deputetja Rrezarta Krasniqi tregon arsyen pse Kosova ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se qe...
-
Rrahje në një restorant në Ferizaj, dy të lënduar dhe dy të arrestuar
Një 23 vjeçar me inicialet L.M dhe një 21 vjeçar me inicialet F.H janë arrest...
-
Kurti: Spanja duhet të njohë pavarësinë e Kosovës
Presidenti Albin Kurti këtë javë ishte me qëndrim në Bruksel, atje ku u mbajt...
-
Përurohen dy fusha të reja sportive për shkollën SHFMU “Hilmi Rakovica” në Prishtinë
Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria për Sport në këtë komunë, të premten kanë p...