Zelensky kërkon dërgimin e shpejtë të tankeve perëndimore në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus
11:11 | 26 January 2023
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar liderët e Perëndimit për dërgimin e tankeve – për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë – mirëpo ka thënë se ato duhet të dorëzohen sa më shpejt.
Në adresimin e tij të përditshëm, Zelensky i ka kërkuar Perëndimit edhe raketa me rreze të gjatë veprimi, si dhe aeroplanë luftarakë.
Komentet e tij kanë ardhur pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë bërë të ditur se do të dërgojnë tanket Abrams, përkatësisht Leopard, në Ukrainë. Rusia i ka konsideruar këto vendime si “provokime flagrante” dhe ka thënë se tanket do të shkatërrohen.
Tanket do të “shkatërrohen sikurse të gjitha të tjerat”, është shprehur Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin. “Ato vetëm se janë shumë të shtrenjta”, ka thënë ai.
Zelensky ka thënë se i ka treguar shefit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Jens Stoltenberg, se “përparimi duhet të arrihet në aspekte tjera të bashkëpunimit tonë në mbrojtje” – duke kërkuar kështu raketa me rreze të gjatë veprimi dhe artileri.
Ai nuk ka kërkuar vetëm dërgim të shpejtë të tankeve perëndimore, por edhe numër të madh të tyre.
“Ne duhet të formojmë një forcë tankesh, një forcë të tillë që pasi të godasë, tirania të mos mund të ngrihet më kurrë në këmbë”, ka thënë presidenti ukrainas.
Ukraina ka lobuar te aleatët perëndimorë për këto pajisje që disa muaj.
Ajo i ka përshëndetur vendimet e SHBA-së dhe të Gjermanisë, duke e konsideruar këtë moment si pikë kthese, që do t’i mundësojë ushtrisë së saj kthimin e kontrollit të territoreve të pushtuara, pas gati një viti prej nisjes së luftës.
Ukraina, po ashtu, ka thënë se këto tanke do t’i ndihmojnë që të përballet me ndonjë ofensivë potenciale të Rusisë në pranverë.
Teksa e ka bërë të ditur vendimin për tanket, presidenti amerikan, Biden, ka thënë se Putin ka pritur që Evropa dhe SHBA-ja të zvogëlojnë ndihmën për Ukrainën.
“Ai ka gabuar prej fillimit dhe vazhdon të gabojë”, është shprehur Biden.
“Ne jemi duke i dhënë Ukrainës pjesët dhe pajisjet e nevojshme për t’i mbajtur këto tanke efektive në fushëbetejë”, ka thënë ai.
“Kjo është për t’i ndihmuar Ukrainës që të mbrojë tokën ukrainase. Nuk është kërcënim për ofensivë ndaj Rusisë”, ka deklaruar presidenti amerikan.
Një batalion i tankeve ukrainase zakonisht përbëhet nga 31 tanke, prandaj SHBA-ja është pajtuar për të ndarë aq tanke, ka thënë Biden.
Megjithatë, vendimi amerikan përbën ndryshim të qëndrimit të administratës Biden, e cila ka thënë në disa raste se tanket M1 Abrams janë shumë të kushtueshme për t’u mirëmbajtur dhe sfiduese për trupat ukrainase.
Kjo pajisje ushtarake amerikane është ndër tanket më moderne në botë dhe kërkon trajnime të vazhdueshme për operim.
Në pakon amerikane prej 400 milionë dollarëve përfshihen tetë pajisje që ndihmojnë në rast të bllokimit të tankeve, si dhe municion e fonde për trajnim dhe mirëmbajtje. Por, ka mundësi që do të duhen muaj për dërgimin e tankeve në fushëbetejë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se në inventarin amerikan nuk ka tanke të tepërta Abrams.
Prandaj, ai ka thënë se ato do të duhen të blihen nga kontraktorë privatë, apo nga shtetet tjera. Ndërkaq, tanket gjermane, Leopard 2, do të merren nga inventarët ekzistues dhe pritet të dërgohen në Ukrainë përgjatë dy apo tre muajve të ardhshëm. Ato konsiderohen si disa prej tankeve më efektive në fushëbetejë. Zyrtarët në Berlin kanë thënë se ekipet ukrainase do të trajtohen shpejt për përdorim të tankeve Leopard.
Zelensky ka thënë se shtetit të tij do t’i duhen të paktën 300 tanke Leopard për të mposhtur Rusinë. Shumë shtete evropiane kanë tanke Leopard 2 në inventarët e tyre, dhe vendimi gjerman nënkupton se disa shtete mund të bëjnë dërgesa në Ukrainë. Gjermania shpreson se rreth 90 tanke të tilla do të dërgohen në fushëbetejë.
Polonia dëshiron të eksportojë 14 tanke Leopard 2, ndërsa Norvegjia ende nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë. Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë anëtar i NATO-s që është zotuar për dërgim të tankeve moderne në Ukrainë. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë se do dërgojë në Ukrainë 14 tanke Challenger 2 – modelin më modern të tankeve në ushtrinë britanike./REL

Të tjera
-
“Artane Rizvanolli po rren”, drejtoresha e RTV 21 i reagon ashpër ministres për “tregun e hapur energjetik”
Drejtoresha e RTV 21, Afërdita Saraçini- Kelmendi, i ka reaguar ashpër minist...
-
Aksidenti në Polluzhë të Drenasit, kjo është gjendja e të riut që ishte në veturë me 24-vjeçaren
Gjendja e të riut që u aksidentua në Polluzhë të Drenasit është stabi...
-
Bajrami kërkon hetim pas deklaratës së Rizvanollit: Çmimi i MWH-së nga 64 mund të kalojë në 260 euro
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar hetim pas deklaratës së minis...
-
Sulmi me dronë, Zelensky: Veprimet e Ukrainës padyshim që do të hyjnë në librat e historisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka folur për herë të parë në lidhj...
-
Kjo është 24-vjeçarja që vdiq pas aksidentit në Polluzhë të Drenasit
Blerta Rexha është 24-vjeçarja e cila vdiq pas një vetaksidenti që ndodhi...
-
“Tregu i hapur energjetik”, Rafuna: Asnjë fabrikë të dielën nuk punon, çmimi i energjisë arrin në 64.3 euro për megavat
Sot ka hyrë në fuqi tregu i lirë energjetik siç e quan Qeveria, përkundër kun...
-
Shefi gjerman i Mbrojtjes: Rusia mund të sulmojë NATO-n brenda katër viteve të ardhshme
Anëtarët e aleancës perëndimore të NATO-s duhet të përgatiten për një...
-
Haradinaj: Gëzuar ditëlindjen, mik i madh i yni, William Walker
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar ditëlindjen e ish-ambasadorit...
-
Një vjet nga vdekja e kolonel Zejnullah Prokshit, përurohet pllaka përkujtimore për nder të tij
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë në nj...
-
Inteligjenca artificiale përbën një kërcënim më të madh për punët që mbahen nga gratë
Sipas një raporti të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), mbi ...
-
Të shtëna masive në Karolinën e Veriut, një person vdes – 11 plagosen
Një person vdiq dhe 11 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive në...
-
Rusia konfirmon se Ukraina kreu sulme me dronë në aeroporte
Ministria ruse e Mbrojtjes e ka pranuar se pati sulme nga Ukraina në aero...