Lajme

Zekirja Shabani: Mustafa e Kurti në fazën e negociatave të biznesit – s’po shoh partnerë politikë

Autori: Gazeta inFokus 20:28 | 17 January 2020

Kryeredaktori i Gazetës inFokus, Zekirja Shabani ka thënë se pavarësisht ngecjeve në negociatat LDK e VV, Kosovës nuk i duhet një Qeveri sikurse ajo e kaluara e cila ishte e përfshirë në skandale.

”Ajo çka dihet aktualisht është se Kosova e ka një Qeveri në dorëheqje”.

”Kosovës i duhet një Qeveri – unë jam prej asaj pjesës së gazetarëve që kam shkruar për skandale të mëdha të kësaj qeverie. Kam kritikuar qeverinë aktuale për vendim ad-hock, që e bënë një nga qeveritë më të papërgjegjshme që e kemi pasur ndonjëherë”.

-Advertisement-

”Nuk do të doja ta kishim një qeveri të tillë. Kosovës pavarësisht gjendjes që është i duhet një Qeveri që e çon vendin përpara bashkë me proceset e saj. Kosova fatkeqësisht nuk gjeneron të ardhura të tjera dhe investime të tjera, që garanton stabilitet socio-ekonomik në vend”.

Shabani në Info Magazinën e Klan Kosovës, deklaroi se me këto veprime LDK e VV po dëshmojnë joseriozitetin e tyre për të formuar institucionet e reja.

”Kurti e Mustafa po shihet që nuk e kanë seriozisht për të arritur një marrëveshje për ta bërë Qeverinë”.

”LDK është ajo që e ka votuar Glauk Konjufcën në Kuvendin e Kosovës. Ndryshimi eventual i Konjufcës në çfarë do lloj emri, do të hynte në një prishje të marrëveshjes. Kjo do të ishte problem sepse qysh në start po thyhet marrëveshja”.

”Ishte qesharake ajo akuza politike se mediat po interpretojnë ndryshe atë se cka po diskutohet mes LDK e VV. Ajo çka mediat dhe ne gazetarët kemi raportuar ishte mendimi i të dyja këndeve politike”.

Zekirja Shabani foli edhe për pozicionin e presidentit në këtë rast, ndërsa u shpreh se ai e ka befasuar me qasjen e tij të durueshme.

”Nuk besoj që kjo mund të shkojë në pafundësi sepse edhe LVV edhe LDK e dinë për efektin që kjo mund të ketë tek elektorati”.

”Ajo çka më habit është se Presidenti Hashim Thaçi është shfaqur shumë më i durueshëm sesa herave të tjera. Kjo më habit sepse e kemi parë më shumë aktiv herave të kaluara”.

”Unë nuk pres se do të ketë një marrëveshje mes të dyja palëve shpejt. Pres një takim për t’i dhënë fund kësaj dhe shkëmbimeve të tyre me letra”.

Ai po ashtu tha se këto negociata më shumë ngjajnë në ato të partnerëve biznesorë sesa politikë, njofton Klan Kosova.

”Tani kemi hyrë në fazën e negociatave biznesore”.

”Kjo faza kur dy partnerë shtyhen maksimalisht për të fituar në negociata – është përlarje mes partnerëve të biznesit, e jo partnerëve politikë – sepse partnerët politikë vinë me një program dhe caktojnë se i cilës parti mund të zbatohet më shumë dhe të dominojë në qeverisjen e ardhshme”.

”Në negociatat e biznesit dy partnerë shtyhen cili me fitu më shumë nga kjo marrëveshje e mundshme. Në këtë rast unë kështu po e shoh. Nuk po shoh partnerë politikë por po shoh partnerë biznesi pasi secili po shtyhet cili me fitu nga këto negociata”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera