Fokus

“Zbulohet” emri i të propozuarit për ambasador të Kosovës në Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 12:44 | 13 August 2021

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz, pretendohet se e ka përzgjedhur një mbështetës të saj për ambasador në Shqipëri, shkruan Gazeta Infokus.

Personit të përzgjedhur veç kanë nisur t’i dërgohen urime nga miqtë në rrjetin social. Bëhet fjalë për Idriz Zeqirajn.

“Urime i nderuar z.Idriz Zeqiraj, zgjedhja e juaj Ambasador në Shqipërinë nënë. E falënderojmë ministren znj. Donika Gërvalla- Schwarz për nominimin e personit më të duhur në këtë detyrë diplomatike në Shqipëri, z.Idriz Zeqiraj”, është urimi që i është bërë Zeqirajt nga miku i tij R.K.

-Advertisement-

Por, ky urim nuk është i vetmi, ani pse nga MPJ ende nuk e ka konfirmuar nominimin e tij.

“Zgjedhje shumë e qëlluar. Idriz Zeqiraj do të jetë një përfaqësues shumë dinjitoz. T’lumtë Zonja Donika Gërvalla-Schwarz”, ka shkruar XH.B, një mik tjetër i Zeqirajt.

Gazeta Infokus ka provuar të kontaktoj me Zeqirajn, por nuk ka arritur të komunikoj me të.

Në fotot që janë postuar nga XH.B, Zeqiraj shihet me ministren Gërvalla.

Edhe në profilin e tij, Zeqiraj ka të postuar deklarata që i ka dhënë për mediat vendëse në lidhje me ministren e Jashtme.

Ai ka përkujtuar rastin kur Donika Gërvallën e kanë “tërhequr zvarrë nga salla e Kuvendit të LDK-së”.

Mirëpo, me bashkimin e Gërvallës dhe Vjosa Osmanit, siç ka thënë ai në një rast, në vjeshtë të 2020, erdhi edhe ndryshimi i shumëpritur në LDK.

Emërimi i ambasadorëve kalon nëpër një procedurë të gjatë. Fillimisht, ministrja e Jashtme i dërgon emrat e të propozuarve për ambasadorë në Kuvendin e Kosovës. Aty, Komisioni për Politikë të Jashtme angazhohet në intervistimin e kandidatëve dhe në përpilimin e raportit i cili i dorëzohet presidentes. Më pas, presidentja vendos për dekretimin e tyre. Marrë parasysh faktin se deputetët janë në pushime nga dita e sotme, atëherë gjasat që ky proces të kryhet shpejt janë të pakta. Në fund të këtij muaji pritet të kthehen ambasadorët e shkarkuar, dhe fillimi i shtatorit ka gjasë që ta zë Kosovën pa ambasadorë në shumë shtete respektive./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera