Lajme

Zbulohet dosja sekrete me emrat e 173 anëtarëve të ISIS-it

Autori: Gazeta inFokus 20:31 | 03 August 2017

Dosja me emrat e 173 pjesëtarëve të Shtetit Islam është gjetur në një çerdhe të organizatës terroriste në Mosul, shkruan gazeta gjermane “Welt”.

Siç thuhet, bëhet fjalë për listën e sulmuesve vetëvrasës potencialë, të cilët ishin të gatshëm të sulmojnë Evropën në shenjë hakmarrjeje për humbjen e Shtetit Islam në Irak dhe Siri.

Dosja është gjetur nga forcat speciale irakiane me rastin e çlirimit të Mosulit para disa muajve, dhe ajo i është dorëzuar shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe Interpolit.

-Advertisement-

Në maj, Interpoli ua ka dorëzuar listën të gjitha shërbimeve sekrete evropiane, shkruan gazeta gjermane.

Përveç emrave të xhihadistëve, në dokumente gjenden edhe fotografitë e tyre dhe vendet e origjinës. Gazeta gjermane shkruan se disa nga fotografitë duken sikur ato të pasaportave, dhe se shumica e terroristëve “buzëqeshën me gëzim”, derisa disa të tjerë duken “serioz”.

Shumica prej tyre janë nga Iraku, por ka edhe nga Tunizi, Maroku, Jordania, Arabia Saudite dhe Taxhikistani. Megjithatë, gjashtë terroristë në listë janë nga Evropa- Belgjika, Holanda, Franca dhe Gjermania.

Shtetasi i vetëm gjerman në listë është Sami J. (27), i njohur më herët si lider i organizatës vehabiste “Milatu Ibrahim”, e cila është e ndaluar në Gjermani.

Vlerësohet se madje 6.000 myslimanë evropianë deri më tash kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak për Shtetin Islam, prej të cilëve 940 nga Gjermania. Disa janë kthyer ndërkohë, shumica janë vrarë në luftime ose sulme vetëvrasëse.

Numri i saktë i atyre që kanë mbetur si pjesë e kalifatit ende nuk dihet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera