Fokus

Zbulohet dosja e plotë e kontratës ku Përparim Rama i “falë” 17 hektarë tokë të komunës për 99 vite Dukagjin Lipës

Autori: Gazeta inFokus 17:29 | 12 May 2022

I pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes një marrëveshje “të negociuar” vendosi që ti japë në shfrytëzim për hiq më pak se 99 vite, 17 hektarë tokë të komunës, Dukagjin Lipës.

Lipa arriti që ta binde komunën që ti japë tokën e saj në shfrytëzim, e që këtë mundësi shfrytëzimi të tokës në bazë të kohëzgjatjes do të mund ta vazhdojnë edhe fëmijët e nipërit e mbesat e tij.

Gazeta Infokus ka siguruar dosjen e plotë me të cilën u arrit deri te kjo marrëveshje.

-Advertisement-

Me dy takime, biseda e negociata në mes të Ramës dhe Lipës u finalizua marrëveshja katër pikëshe që përfshin edhe disa nënpika brenda saj.

Sipas marrëveshjes toka e cila do ti jepet në shfrytëzim “The Sunny Hill, Sh.P.K, gjendet në Bërnicë të Poshtme, derisa kërkesa për këtë  ishte shtruar nga Dukagjin Lipa drejtuar Zyrës së kryetarit qysh në kohën ku kryetar ishte Shpend Ahmeti.

E kjo kërkesë sipas tyre është e bazuar në atë se festivali Sunny Hill i ka sjellë përfitime të mëdha komunitetit dhe komunës në përgjithësi.

Ndërsa kjo marrëveshje, ani pse si kërkesë ishte bërë qysh në vitin 2020 konkretisht me datën 06.07, tek tani kur në krye të Komunës është Përparim Rama, arriti të finalizohej.

Marrëveshja e nënshkruar më 4 prill u miratua të martën në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Kryetari Përparim Rama, madje tha se “nuk i vyen Prishtina Sunny Hill Festivalit, por Sunny Hill Festivali i vyen Prishtinës”.

Sipas dokumentit të marrëveshjes të cilin po ashtu e ka siguruar Gazeta Infokus, thuhet se deri te finalizimi erdhi pas negociatave në takimet që u bënë në vitin 2022.

Sipas pikës së parë të marrëveshjes që është kohëzgjatja thuhet se, kjo tokë do të jetë në shfrytëzim të Dukagjin Lipës me “Sunny Hill SH.P.K për hiq më pak se 99 vite.

Në këtë kontratë dëshmohet se Dukagjin Lipës do ti hyjë goxh anë punë kjo marrëveshje. Duke qenë se tokën përveç festivalit do të mund ta shfrytëzojë edhe për aktivitete të tjera.

Nga kjo marrëveshje Komuna e Prishtinës përveç që fali 17 hektarë tokë, madje pati edhe obligime të tjera të cilat duhet ti plotësojë.

Së pari, Komuna e Prishtinës obligohet që të mos bëjë sanime në këtë tokë 40 ditë para dhe 20 ditë pas mbajtjes së festivalit “Sunny Hill”.

Po ashtu sipas marrëveshjes, “Sunny Hill” obligohet që t’ia lë Komunës së Prishtinës këtë tokë 60 ditë brenda vitit, por këtu Dukagjin Lipa ka vendosur edhe se Komuna e Prishtinës mund të ketë vetëm deri në 3 mijë mysafirë në rast të organizmit të ndonjë aktiviteti në tokën e saj.

Po ashtu sanimet në këtë parcelë nga komuna nuk guxojnë të fillojnë as të kryhen në afatin 40 ditë para mbajtjes së festivalit dhe 20 ditë pas.

Obilgimet që duhet tu përmbahet komuna sipas marrëveshjes shkojnë deri aty sa edhe i caktohet se cfarë aktivitete mund të organizohen nga Komuna në kohën kur toka është në shfrytëzim të saj.

“Eventet që lejohet të organizohen nga Komuna e Prishtinës janë evente të muzikës klasike, xhaz muzikës, Filarmonisë së Kosovës si dhe nikoqir të orkestrave Filarmonike nga e gjithë bota” thuhet në marrëveshje.

Në rast se organizimet komunale do të jenë fitimprurëse, Komuna e Prishtinës mund t’i marrë veç 30% të të hyrave. 70% e profitit do t’i takojë Lipës.

“Para çdo përdorimi të pronës, Komuna e Prishtinës si palë që planifikon mbajtjen e evenimentit duhet të kontaktojë me Sunny Hill që të bëjë pranimin e pronës dhe gjendjes në të cilën e pranon pronën. Të gjitha dëmtimet e infrastrukturës së parkut duhet të kompensohen nga Komuna e Prishtinës, si palë që e merr në shfrytëzim pronën”, thuhet në një pikë.

Ndërsa komuna e Prishtinës obligohet që t’ia paguajë Lipës dëmtimet e mundshme në këtë tokë, marrëveshja nuk e specifikon të kundërtën, që edhe Lipa t’ia kompensojë komunës dëmtimet infrastrukturore që mund t’ia sjellin tokës organizimet e tij.

Për “Sunny Hill”, specifikohet vetëm se “duhet t’i përmbahet të gjitha normave ligjore që garantojnë çështjet mjedisore”.

Mirëpo edhe pse në një numër më të vogël marrëveshja përmban edhe disa pika të cilat duhet të iu përmbahet edhe Dukagjin Lipa.

Sipas dosjes së marrëveshjes të siguruar nga Gazeta Infokus, thuhet se Lipa duhet që dy herë në vit të raportojë me shkrim mbi realizimin e planit investiv, si dhe për aktivitetet e organizuara kulturore, në mënyrë që t’ia arsyetojë komunës mbajtjen në shfrytëzim të pronës komunale.

“Sunny Hill” obligohet që të angazhohet me organet kompetente që të mos lejojë përdorimin e substancave narkotike dhe substancave tjera të ndaluara me ligj, në festival.

Po ashtu, “Sunny Hill nuk ka të drejtë që të ndërtojë objekte “jashtë planit të miratuar të biznesit dhe nuk ka të drejtë ta ndryshojë qëllimin e destinimit të pronës në shfrytëzim”.

Kujtojmë se të hënën i pari i Prishtinës në mbledhjen e Kuvendit ku u votua që toka ti jipej Lipës tha se 17 hektarë faktikisht janë pak nëse kemi vizion për ngritje të festivalit në nivele botërore”.

Ai po ashtu u sigurua të theksojë se “Festivali ka sjellë 8-9 milionë euro të hyra për kryeqytetin. Kjo krijon mundësi të punësimit, d.m.th. krijon ekonomi”, tha ai.

Rama shtoi se ky festival “mundet me shku në Tiranë, mundet me shku në Shkodër, mundet me shku faktikisht ku të ka qejf”, prandaj tha se e nënshkroi këtë marrëveshje të vlefshme 99 vjet.

Në vazhdim mund të gjeni dosjen e plotë me të gjitha dokumentet qysh nga kërkesa e bërë në vitin 2020, e deri te marrëveshja e vitit 2022 si dhe harta me pjesën e tokës që do të merret në shfytëzim nga Sunny Hill. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera