Zbulohet biznesi i drogës që fshihet pas pastruesve të xhamave në semafor
Autori: Doresa Geci 11:16 | 05 October 2021
Semaforët janë vendi i tyre i punës. Në pritje të dritës së kuqe, shumë fëmijë nga komunitetet rom, ashkali e egjiptas sigurojnë mbijetesën duke pastruar xhamat e veturave e duke kërkuar lëmoshë.
Krahas kësaj, një pjesë e tyre kryejnë edhe një punë tjetër që pak bie në sy, por që po ua shkatërron jetën, shkruan Gazeta Infokus.
Pastruesit e xhamave pranë semaforëve po kthehen në një rrjet të madh të përdorimit dhe të shpërndarjes së njërës prej drogave më të rrezikshme- heroinës.
Mënyra e ardhjes së kësaj droge në duar të tyre nuk është edhe shumë e zakonshme.
Kështu thotë Muharrem Ademi, nga Organizata që merret më rehabilitimin e përdorueseve të drogave “Labirinth”.
“Si duket fillimi i përdorimi të heroinës tek këta (fëmijë v.j) ka ndodhur në një mënyrë pak të çuditshme…Në fillim kanë qenë dy persona që kanë ardhur prej shteteve të jashtme, prej Gjermanisë kryesisht, të cilët janë të riatdhesuar dhe këta dy persona duke ndenjur me shoqëri, me familjarë të tyre i kanë njoftuar me heroinën. Pastaj rrjeti ka shkuar duke u zgjeruar- shoku ia ka dhënë shokut”, thotë Ademi.
Ai tregon se këta janë komunitetit i bashkuar, kështu që shumë shpejt është përhapur problemi i shpërndarjes së drogës.
Gazeta Infokus ka gjetur fillin e një rrjeti.
Një 25 vjeçar, përdorues i kësaj droge nga komuniteti rom, në kushte anonimiteti të plotë ka rrëfyer se si dhe me çfarë pasojash është përballur për një kohë të gjatë.
“Një i afërm i familjes time më njoftoi për herë të parë me drogën heroinë. Edhe ai ishte përdorues i kësaj lloj droge, pra ai e ka përdorur para se unë ta nisja. Mandej kemi vazhduar bashke që ta marrim heroinën. T’ju them të drejtën, unë e kam ditur që jam duke pirë heroinë, por nuk ka pasë informata se sa e rrezikshme është kjo lloj e drogës dhe për varësinë që ta krijon. Momentin që e kam përdorur heroin më është dukur se të gjitha problemet e shqetësimet që i kam pas në jetë m’u kanë larguar. Jam ndje njeriu më i lumtur në botë dhe se gjithçka në jetën time është në rregull”, ka thënë 25 vjeçari.
Tash, ai ndihet fajtor që u bë shkaktar që edhe gjashtë anëtarët e familjes së tij të bëhen të varur nga heroina.
Zinxhiri i përdoruesve të drogës. megjithatë është edhe më i madh.
Nga Qendra për rehabilitimin e përdoruesve të drogave, “Labirinth”, aty ku trajtohet edhe ky person, thonë se vetëm vitin e kaluar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas janë indentifikuar 140 përdorues të heroinës.
Më shqetësuese është se përdoruesit janë kryesisht të moshës së re.
Kjo qendër ka gjetur se edhe fëmijë të moshës 10 vjeçare janë përdorues të heroinës.
“Mosha me e hershme që e kemi identifikuar ka qenë një person 10 vjeçar i varur prej heroinës. Për neve ka qenë mosha me e re që kemi identifikuar ndonjëherë. Ka qenë shumë sfiduese për neve pasi që babën e ka pasë në burg. Me Policinë e Kosovës dhe Qendrën për Punë Sociale kemi arritur me intervenuar. Së pari kemi bërë ditoksifikimin e drogave në organizëm, pastaj i ka mbajtur disa seanca psiko-terapike edhe me në fund me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë arritur ta riatdhesojmë atë djalë tek nëna e tij, e cila ka qenë në Mal të Zi”, ka thënë Ademi për Infokus.
Shqetësuese është se në shumë raste janë vetë prindërit ata që i detyrojnë fëmijët të kërkojnë lëmoshë për të siguruar paratë për përdorimin e drogës.
Martesat në mosha shumë të hershme që bëhen brenda këtij komuniteti, pastaj numri i madh i fëmijëve, shto kësaj edhe shkallën e lartë të papunësisë, janë disa nga faktorët që thuhet se kanë ndikim që ata të futen në këtë rrugë, të cilën më pastaj e kanë të vështirë që ta braktisin.
Për të vazhduar përdorimin e heroinës që u kushton 30-40 euro në ditë, sipas njohësve të fushës, paratë duhet t’i sigurojnë ose përmes aktiviteteve kriminale, në mënyrë jashtëligjshme ose duhet të punojnë.
“ Tash këta metodën më të lehtë e kanë gjetur lëmoshën. Shumica prej tyre kërkojnë lëmoshë, pastrojnë xhama, vetura, gjithashtu edhe fëmijët e tyre i qesin në rrugë”, tha mes tjerash punëtori social.
Një situatë e tillë duket të jetë mjaftë shqetësuese.
Madje për shkak të abuzimit me fëmijët dhe me qëllim të përmirësimit te jetës së tyre sociologët këshillojnë që të mos u jepet lëmoshë atyre që kërkojnë në rrugë.
“Pra kur ka të bëjë më mosha minore, është kodeks, është protokoll i sjelljes i aprovuar ndërkombëtarisht që të mos i jepet para atyre, apo mjete financiare, pasi që në bazë të hulumtimeve ato mjete janë të predisponuara për dikë tjetër, fatkeqësisht për ata që i keqpërdorin ata fëmijë. Përveç faktit se ata janë braktisësit më të mëdhenj të shkollave, qoftë të nivelit fillor, të mesëm dhe atij universitar, ata arrijnë të identifikohen nga grupet e ndryshme interesit dhe me u përdorë, apo edhe me ju ofruar diçka edhe nivelit të substancave narkotike” ka thënë sociologia, Dhurata Prokshi.
Por, institucionet duket se nuk janë në nivel të detyrës për t’u kujdesur për këtë kategori.
Të shqetësuar për këtë gjendje, Komuna e Prishtinës ka ndarë një fond të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve, megjithatë nuk po arrin t’ia dal që t’i heq nga rruga fëmijët që kërkojnë lëmoshë.
Në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale në Prishtinë janë në dijeni për përdorimin e heroinës nga të rinjtë që pastrojnë xhamat e veturave në kryeqytet.
“Të gjithë ata që janë marrë më këtë dukuri e kanë pasur të ditur se pothuajse ishte zhdukur përdorimi i heroinës. Kjo rishfaqje e befasishme na ka shqetësuar të gjithëve. Përdorimi drogave nuk është dukuri e re në Kosovë, ndonëse trajtimi i këtij fenomeni trajtohet më shumë nga aspekti penal, por që sipas mendimit tim duhet të trajtohet edhe si çështje e shëndetit publik. Së pari duke trajtuar stigmatizimin që ju bëhet përdoruesve të saj e pastaj duke i trajtuar shkaqet që sjellin deri tek prania e kësaj dukurie në shoqëri”, ka deklaruar, Drejtori i Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Dren Kukaj.
Mirëpo edhe pse përdorimi i heroinës nga komunitet jo shumicë është kthyer në fenomen, në Policinë e Kosovës nuk ka shumë raste të raportuar.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë në Kosovë janë raportuar vetëm 7 raste kur pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian janë kapur me substancë narkotike.
Në vitin 2020 janë sekuestruar mbi 8 kilogramë heroinë.
Por situata duket se është krejtësisht tjetër në raport me atë çfarë dinë dhe raportojnë institucionet.
Kapja e një kamioni të stërmbushur me drogë muajt e fundit në komunën e Lipjanit tregon se droga në Kosovë është kthyer në një biznes të madh./Gazeta Infokus/
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...