Lajme

Ymeri: T’ia kthejmë Kuvendit vendimmarrjen, e pastaj edhe mund të vendosim kush kë e ‘sosë’ në boks

Autori: Gazeta inFokus 21:02 | 06 September 2018

Për ish-kreun e Vetëvendosjes, tash nënkryetar i PSD-së, Visar Ymeri, është urgjente që në Kuvend të Republikës të kthehet vendimmarrja.

Në një adresim përmes profilit të tij në Facebook, Ymeri ka shkruar se është e rëndësisë jetike, dhe goxha urgjente, që Kuvendi i Republikës ta marrë përsipër mbrojtjen e saj.

“Përndryshe mësyerja e Thaçit në dialog pa kurrfarë mandati ia cenon Republikës karakterin e saj parlamentar, e pazaret e tij me Vuçiqin po rrezikojnë t’ia cenojnë integritetin territorial”, ka thënë Ymeri.

-Advertisement-

Ai ka thënë se platforma shtetërore për dialog nuk mund të miratohet ndryshe përveç se me 2/3 e deputetëve.

“Një votë e tillë do t’i jepte asaj legjitimitet demokratik ndërsa Republikës siguri nga dhe në dialog. Kjo Platformë shtetërore duhet ta përmbajë synimin dhe interesin kryesor për shtetin tonë e që është njohja e pakusht dhe e plotë e pavarësisë së Republikës nga Serbia, dhe të ravijëzojë mekanizmat strategjik negociues e elementet përbërës të marrëdhënieve mes dy shteteve të bazuara në parimet e respektit reciprok të sovranitetit e kufijve ndërkombëtar si dhe në parimet e fqinjësisë së mirë. Së dyti përmes platformës të gjitha forcat politike do të zotoheshin që do të angazhohen në ruajtjen e karakterit unitar të Republikës sonë dhe barazisë së të gjithë qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

“Po me 2/3 e deputetëve duhet të mandatohet ekipi negociator i cili ekskluzivisht do ta përfaqësonte Republikën e Kosovës në dialog, përgjegjës për t’i zbatuar parimet udhërrëfyese të Platformës dhe i obliguar të negociojë vetëm brenda saj. Ky Ekip negociator i mandatuar nga Kuvendi i përgjigjet vetëm atij, negocion në mënyrë transparente dhe mbikëqyret nga Kuvendi në secilën fazë të dialogut përmes mekanizmave të krijuar enkas për këtë mbikëqyrje”, ka thënë tutje Ymeri.

Sipas tij, kështu Kuvendi do ta kishte mundësinë e pakontestueshme që të sigurohet se dialogu me Serbinë nuk e rrezikon Republikën dhe që përdoret për t’ia avancuar të drejtat dhe interesat asaj.

“Ndryshe, sido ndryshe, rrezikojmë shumë e nuk fitojmë asgjë”, ka thënë Ymeri, duke ironizuar me përplasjen në distancë mes Haradinajt dhe eksponentëve të VV-së.

“E pastaj edhe mund të vendosim kush kë e ‘sosë’ në boks”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera