Lajme

Yellen: Mbështetja për Ukrainën, rruga më e mirë për t’i ndihmuar ekonomisë globale

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 16 July 2023

Dyfishimi i mbështetjes për Ukrainën është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar ekonomisë globale, ka thënë Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen të dielën.

Duke folur në margjina të samitit të ministrave të Financave të 20 vendeve më industrializuara në botë (G20), që po mbahet në Indi, Yellen ka thënë se “prioriteti kyç” është që “të dyfishohet mbështetja për Ukrainën” teksa mbrohet kundër pushtimit rus.

Pas vizitës që ka realizuar në Kiev, në shkurt të këtij viti, Yellen ka thënë se e ka parë nga afër diferencën që po e bën ndihma për Ukrainën, si për civilët, ashtu edhe për ushtrinë ukrainase.

-Advertisement-

“Dhënia fund e kësaj lufte është thelbësore, dhe është gjëra më e mirë që mund të bëjmë për ekonominë globale”.

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka tronditur gjithë botën, pasi janë rritur çmimet e ushqimit dhe naftës.

Të dyja vendet janë ndër eksportueset më të mëdha të grurit në botë.

Një marrëveshje, që i ka mundësuar Ukrainës ta eksportojë grurin e saj përmes Detit të Zi skadon të hënën, përveç nëse Rusia pajtohet për ta zgjatur atë.

Të mërkurën, liderët e shtatë vendeve më të industrializuara (G7) janë zotuar se do ta mbështesin Ukrainën aq sa të ketë nevojë.

Plani i G7-ës parasheh një kornizë, sipas së cilës, shtetet individuale do të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me Kievin, për të konkretizuar llojet e armëve që do të dërgohen në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera