Lajme

​Xhafer Gashi zgjidhet kryetar i degës së LDK-së në Obiliq

Autori: Gazeta inFokus 23:31 | 30 March 2022

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, që aderoi javë më parë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, është zgjedhur ehde kryetar i degës së kësaj partie në komunën që drejton. Kjo është konfirmuar edhe nga LDK që tregoi se kandidatura e Gashit është mbështetur me unanimitet të plotë.

“Sot, delegatët e Kuvendit të Degës së LDK-së në Obiliq, pas një procesi demokratik dhe transparent, e në prani të shumë qytetarëve të Obiliqit, zgjodhën me unanimitet të plotë për kryetar të Degës z. Xhafer Gashi, kryetarin aktual të komunës së Obiliqit. Ky Kuvend i sotëm, tregon fuqinë politike të LDK-së; tregon organizimin tonë demokratik, zgjedhjen si mjet të vetëm vendimmarrës e kthimin e partisë tek anëtarësia jonë e përbashkët”, tha përmes një njoftimi LDK.

Në kuvendin e sotëm, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku falënderoi të gjithë delegatët, aktivistët dhe strukturat e degës për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

-Advertisement-

Po ashtu, Abdixhiku u shpreh i bindur që ky kuvend zgjedhor, do të jetë model edhe për komunat tjera, sipas mënyrës së angazhimit të anëtarëve po ashtu edhe në aspektin përmbajtjesor.

Ndërsa, vet Gashi, përmes një postimi në Facebook, falënderoi të gjithë delegatët për besimin, duke konfirmuar se tashmë është zgjedhur edhe kryesia e re e degës së LDK-së në Obiliq.

“Nga ky Kuvend, delegatët votuan propozimin tim për përbërjen e kryesisë së degës së LDK-së. Lidhja Demokratike e Kosovës, po rikthehet fuqishëm tek qytetarët. Ne do vazhdojmë së bashku që Obiliqi të jetë qyteza më e bukur e Kosovës”, shkroi Gashi.

Gashi, në zgjedhjet e vjeshtës së vonë, fitoi besimin e qytetarëve të Obiliqit si kandidat i pavarur pasi paraprakisht ishte larguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera