Uncategorized

Wang Yi : Zhvillimi është një çështje parësore

Autori: Gazeta inFokus 13:12 | 24 May 2022

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi një takim me Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara Michelle Bachelet në provincën Guangdong të Kinës Jugore. Në këtë takim kreu i diplomacisë kineze shtjelloi qëndrimin e vendit të tij për çështjen e të drejtave të njeriut.

Gjatë vizitës së saj në Kinë nga 23 maji deri më 28 maj, Bachelet do të vizitojë provincën Guangdong dhe Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore dhe do të ketë shkëmbime të gjera me popullin kinez.
Wang i tha Bachelet-it se Kina i ka dhënë gjithmonë përparësi së drejtës për jetesë, duke ushqyer gati një të pestën e popullsisë së përgjithshme globale me më pak se nëntë për qind të tokës së punueshme të botës.
Ai përmendi se Kina ka krijuar sistemin më të madh në botë të sigurimeve shoqërore dhe ka arritur mbulimin universal të sistemit të sigurimeve mjekësore.

Sipas tij, Kina e vlerëson gjithmonë zhvillimin si një çështje parësore dhe ka zhdukur varfërinë absolute, duke përmbushur objektivin e përcaktuar në Agjendën për Zhvillimin e Vazhdueshëm të OKB-së 2030 dhjetë vjet përpara afatit.
Wang theksoi se Kina fokusohet gjithmonë në mbrojtjen e grupeve të veçanta, duke përfshirë të drejtat e pakicave kombëtare.

-Advertisement-

Nëpërmjet mbështetjes dhe ndihmës së qeverisë qendrore, është nxitur zhvillimi dhe përparimi i përbashkët i pakicave kombëtare, vuri në dukje Wang, duke shtuar se Kina garanton në mënyrë efektive të drejtat e pakicave kombëtare në administrimin e çështjeve shtetërore.
Për Kinën, mbrojtja e sigurisë së popullit ka qenë përherë një objektiv afatgjatë, theksoi ai.
Wang theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të drejtësisë dhe të mospranimit të standardeve të dyfishta në zhvillimin e kauzës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Bachelet, nga ana e saj, vlerësoi kontributet e Kinës në nxitjen e multilateralizmit, financimin e zhvillimit dhe fushat me rëndësi për përparimin e të drejtave të njeriut, si zhvillimi i vazhdueshëm, zbutja e varfërisë, ndryshimi klimatik dhe mbrojtja ekologjike.

Komisionerja shprehu shpresën që vizita e saj të jetë një mundësi për të përmirësuar mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë për të trajtuar së bashku sfidat globale dhe për të çuar përpara zhvillimin e kauzës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera