Uncategorized

Wang : Të ndihmojmë vendet ishullore të Paqësorit për të përshpejtuar zhvillimin dhe rigjallërimin

Autori: Gazeta inFokus 09:25 | 07 June 2022

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se Kina është e gatshme të ndihmojë vendet ishullore të Paqësorit për të përshpejtuar zhvillimin dhe rigjallërimin.

Duke folur për mediat kineze pas përfundimit të turneut të tij në tetë vende ishullore, Wang vuri në dukje gjithashtu se bashkëpunimi i Kinës me vendet ishullore të Paqësorit nuk drejtohet kundër asnjë vendi tjetër dhe se Pekini nuk ka asnjë interes për rivalitet gjeopolitik.

Kreu i diplomacisë kineze vizitoi Ishujt Solomon, Kiribatin, Samoan, Fixhin, Tongën, Vanuatun, Guinenë e Re Papua dhe Timorin Lindor nga 26 maji deri më 4 qershor. Ai gjithashtu zhvilloi videotakime me zyrtarë të lartë të Shteteve të Federuara të Mikronezisë, Ishujve Kuk dhe Niues, dhe kryesoi Mbledhjen e 2-të të Ministrave të Jashtëm Kinë-Vendet Ishullore të Paqësorit në Fixhi.

-Advertisement-

Wang theksoi se vizita e tij kishte për qëllim forcimin e miqësisë, diskutimin e bashkëpunimit, përballimin e sfidave, zhvillimin e përbashkët dhe krijimin e një të ardhmeje të përbashkët me vendet ishullore të Paqësorit, duke vënë në dukje se këto vende përballen me më shumë rreziqe dhe sfida në kontekstin e një bote të trazuar e të pandemisë së COVID-19.

Turneu përfshiu të dhjetë vendet ishullore të Paqësorit që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën, tha ministri, duke e përshkruar atë si një “udhëtim paqeje, bashkëpunimi e miqësie”.

Përmbajtja konkrete e politikës së Kinës ndaj vendeve ishullore mund të përmblidhet si “katër ruajtjet”: ruajtja e trajtimit të barabartë, e respektit të ndërsjellë, e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta dhe e hapjes dhe përfshirjes, tha Wang Yi.

Duke e quajtur bashkëpunimin “të hapur, të tejdukshëm dhe të jashtëzakonshëm”, kreu i diplomacisë kineze tha se nuk ka asnjë kusht politik dhe asnjë imponim ndaj të tjerëve. Ky bashkëpunim, sipas tij, nuk synon asnjë palë të tretë dhe nuk kërkon të ashtuquajturën “sferë ndikimi “.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera