Lajme

Walker: Komuniteti ndërkombëtar duhet të njohë të vërtetën e Reçakut

Autori: Gazeta inFokus 13:18 | 15 January 2020

Në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, është mbajtur akademi përkujtimore në të cilën është përkujtuar gjenocidi që Serbia ka kryer nga shqiptarëve të Kosovës dy dekada më parë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se heshtja ndërkombëtare ndaj këtij gjenocidi ka trimëruar Serbinë që të mohojë krimet që ajo ka kryer në Reçak. Ndërsa ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker ka thënë se viktimat në Kosovë meritojnë drejtësi dhe që komuniteti ndërkombëtar duhet të njohë të vërtetën e ndodhur në Reçak.

“Mos harro Reçakun” ishte moto e aktiviteteve në shënim të 21 vjetorit të një prej masakrave më të tmerrshme, pas Srebrenicës, të cilën e kreu regjimi kriminel i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999 në Reçak.

Përgjegjësit e krimit monstruoz të kryer në civilët shqiptarë në Kosovë, nuk kanë dalë ende para drejtësisë ndërkombëtare. Ndërkohë që pushteti në Serbi, e mohon një masakër të tillë, të vërtetën e së cilës e di e gjithë bota.

Presidenti Thaçi, në akademinë e mbajtur në Komunën e Shtimes, tha se qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë të revoltuar për mungesën e drejtësisë ndërkombëtare, meqë siç tha ai, kishin besim të plotë në autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare.

Siç theksoi ai, qytetarët janë të dëshpëruar nga amnistia ndërkombëtare kundër spastrimit etnik që ka kryer shteti i Serbisë në Kosovë.

Thaçi: Heshtja ndërkombëtare e ka trimëruar Serbinë

“Dua të them shumë hapur se kjo heshtje ndërkombëtare dhe pothuajse në një formë apo formën tjetër ky amnistim ndërkombëtar i gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë inkurajoi dhe trimëroi autoritetet shtetërore të Serbisë që të pretendojnë të mohojnë edhe krimet, masakrën në Reçak. Kjo ka cenuar popullin e Kosovës, ka lënduar ndjenjat dhe plagët e çdo qytetari të Kosovës që kërkon drejtësi, dhe kjo heshtje ndërkombëtare vetëm për të mos ia prishë qejfin Serbisë në fakt i ka kushtuar edhe procesit për të ndërtuar paqe, pajtim dhe të ardhme sa më të shpejtë të Kosovës evropiane, Serbisë evropiane dhe të Ballkanit Perëndimor të perspektives euroatlantikë. Dhe natyrisht është koha që të gjithë pa hezitim ta themi të vërtetën, dhe natyrisht që kryesit që janë bartës të institucioneve në Serbi, të gjenocidit, spastrimit etnik dhe masakrave të tjera në Kosovë, të dhunimeve, të dalin para drejtësisë ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit tha se ambasadori William Walker arriti të mbajë gjallë sensibilizimin ndërkombëtar për masakrën që Serbia e ka kryer në Kosovë.

Thaçi falënderoi Walker për të cilin tha se nuk e la asnjëherë vetëm Kosovën, edhe atëherë kur ndërkombëtarët nuk e vizitonin kurrë, duke theksuar se për herë të parë po sheh në sallë numër të madh të ndërkombëtarëve me qëllim të ndjekjes së akademisë që përkujton masakrën e Reçakut.

Për këtë foli edhe vetë ambasadori Walker, i cili tha se përkujtimi i masakrës së Reçakut nuk nënkupton urrejtje në mes të dy popujve, por kërkohet drejtësi për viktimat. Ai tha ndërkombëtarët duhet të njohin të vërtetën e Reçakut, që siç theksoi ai, krimi kundër njerëzimit ka ndodhur aty, dhe nuk ka asnjë dilemë.

Walker: Komuniteti ndërkombëtar duhet të njohë të vërtetën e Reçakut

“Kam kaluar 43 vjet në shërbimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kam pasur vështirë të kuptoj se ku janë komuniteti ndërkombëtar në ditën kur organizohet një përkujtim i tillë për ngjarjen makabre që ka ndodhur 21 vjet më parë. Më është thënë, nga ambasadat, nga diplomatët, që ata nuk duan të rigjenerojnë, ta ndezin storien e masakrës së Reçakut, sepse në një mënyrë do të parandalonte procesin e pajtimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, nga ajo luftë. Sinqerisht këtë nuk e kuptoj. Ky nuk është një takim ku ne rigjenerojmë urrejtje, unë nuk vij këtu që të ju tregojë storie të tmerrshme rreth asaj se çka ka ndodhur këtu, unë vetëm dua drejtësi për viktimat e dhunës në Kosovë, për viktimat e Reçakut, besoj që komuniteti ndërkombëtar duhet të njohë të vërtetën çka ka ndodhur këtu”, tha ambasadori Walker.

Në akademinë përkujtimore në 21-vjetorin e krimit të tmerrshëm që Serbia ushtroi mbi shqiptarët e Kosovës në Reçak, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se sakrifica e dëshmoreve dhe gjithë viktimave të pafajshme është motivim për Kosovën që të ecë e vendosur përpara në rrugën e pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Meta: 21 vite më parë kemi ndjekur me ankth ngjarjen e Reçakut

“21 vjet më parë, ne në Shqipëri por edhe mbarë kombi ynë kudo, ndiqte me ankth ngjarje të tilla si këto të Reçakut, Krushës e Prekazit, e kudo anë e mbanë Kosovës, dhe jo vetëm kaq, por 21 vjet më parë ne në Shqipëri pritëm të paktën 1 milion motra e vëllezër kosovarë të dëbuar me dhunë falë një projekti kriminal për të zbrazur një herë e përgjithmonë Kosovën nga shqiptarët. Unë jam sot i lumtur që këto sakrifica ia kanë vlejtur dhe vij sot në një Kosovë të pavarur, demokratike, një në Kosovë e cila jam i sigurt që i ka të gjitha mundësitë për të qenë një shembull i bashkëjetesës, i pajtimit dhe ndërtimit drejt një të ardhme të përbashkët evropiane në rajonin tonë”, tha Meta.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, u bëri thirrje ambasadorëve të shteteve të QUINT-it që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që të dalin para drejtësisë përgjegjësit e krimit të Reçakut.

Ismajli: Përgjegjësit e krimit të Reçakut të dalin para drejtësisë

“Të nderuar të pranishëm, e në veçanti ju ambasadorë të shteteve të ndryshme, kërkojmë që autoritetin e shteteve tuaja dhe mekanizmave ndërkombëtar ta ushtroni ndaj Serbisë që të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e krimit të Reçakut dhe përgjegjësit e krimit në Kosovë. Mbase ata dihen me emër dhe mbiemër, me adresë dhe vend të saktë. Kriminelë të tillë lirshëm shëtisin nëpër botë, dhe nga shëtitja e tyre dhe liria e tyre është i kërcënuar vendi ynë, Ballkani Perëndimor dhe vetë Serbia, ata duhet të sjellën para drejtësisë për masakrat që i kryen në Reçak e Kosovë, dhe në këtë mënyrë rajoni do të jetë i sigurt”, tha ai.

21 vjet më parë, në masakrën e Reçakut shteti i Serbisë ka ekzekutuar mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë, pleq, të rinj e fëmijë.

William Walker, që në atë kohë ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së për Kosovë, kishte vizituar vendin e krimit dhe kishte deklaruar që aty është bërë krim kundër njerëzimit.

Deklarata e tij kishte mobilizuar komunitetin ndërkombëtar për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë, duke u organizuar konferencën në Rambuje në shkurt 1999, e cila pasoi me bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë.

Të tjera