Fokus

VV planifikon braktisjen e qeverisjes në Prishtinë, Shpend Ahmeti po bllokon drejtoritë e tyre

Autori: Sylejman Sylejmani 18:15 | 10 October 2018

Prishtina është një prej tri komunave të fituara nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale.

Por pas ndarjes se këtij subjekti politik, kryeqyteti nuk i ka punët mirë.

Drejtorët të VV-së në komunë po ankohen se projektet e tyre po bllokohen nga Shpend Ahmeti, tashmë kryetar i PSD.

-Advertisement-

Komuna ka dalë keq gjithashtu edhe në monitorimet që po i bëhen asaj nga organizata joqeveritare INPO.

Prishtina në gjashtë mujorin e parë ka performuar shumë dobët me buxhetin.

Përgjatë kësaj periudhe ka shpenzuar vetëm 21.25% të tij, shkruan Gazeta inFokus.

Asamblisti i VV, Eman Rrahmani ka thënë se shumë projekte të drejtorëve të tyre nuk kalojnë e një nënshkrim vonohet për muaj të tërë.

“Ka projekte që nuk kalojnë, ka projekte që për një nënshkrim të kryetarit duhet të pritet me muaj të tërë, vonohen, ka projekte që në një mënyrë nuk lejon me pengesat tjera. Ka filluar një keqqeverisje dhe nuk mund ta mbështesin e as ta përkrahim asnjë qeverisje që qeverisë keq me kryeqytetin. Ky është problemi, nuk ka të bëjë me ndarjen e Vetëvendosjes”, thotë ai.

Rrahmani thekson se do ta shqyrtojnë edhe largimin nga qeverisja komunale, nëse vazhdohet në këtë mënyrë.

“Nuk e di se a do të vazhdojmë, varet sa do t’u jepet hapësirë, sa do të lejojë kryetari qeverisjen, për shkak se ka shumë projekte që bllokohen që nuk lejohen me u realizu dhe nëse vështirësohet kështu puna, besoj që do të jetë e vështirë për të vazhdu një mënyrë e tillë e qeverisjes, sepse nuk jemi duke bashkëqeverisë me të sepse ai e ka marrë mandatin prej neve e jo ne prej tij”, deklaron asamblisti i Vetëvendosjes.

E Nol Nushi nga PSD tregon për inFokus se janë zhvilluar disa takimet për këtë çështje.

Ai tregon se partia e tij e ka bërë tashmë një ofertë për ta zgjidhur këtë problem.

“Janë mbajtur takime për këtë koalicion dhe përgjigja ka mbetur me u dhënë nga Vetëvendosje nëse dëshirojnë ta vazhdojnë qeverisjen ose jo, edhe pse tashmë e disa muaj e kanë ofertën në tavolinë ata nuk po përgjigjen dhe po e bëjnë lojën e dyfishtë edhe në pushtet edhe në opozitë”, deklaron Nushi.

Ai gjithashtu ka hedhur poshtë akuzat se drejtorëve të VV-së nuk po u përkrahen projektet.

Thotë se drejtorët nuk janë ankuar asnjëherë se kanë probleme të tilla dhe i quan shpifje këto deklarime të Rrahmanit.

“Nuk është e vërtetë. Drejtorët kanë qenë në Kuvend Komunal  i kemi pyet publikisht a ka pas neglizhencë të tillë kanë thënë jo. Yll Rugova ka qenë aty. Shpifjet e Emanit janë të zakonshme, por nuk e kemi nijet me u marrë me atë pjesë. Nuk ka asnjë neglizhencë. I ftoj publikisht drejtorët me na i paraqitë në Kuvend Komunal ankesat që i kanë, e jo me fol Emani për drejtorët se drejtorët nuk janë fëmijë të vegjël. Secili prej tyre janë më profesionistë Emani”, thotë Nushi.

Se në Komunën e Prishtinës ka shumë probleme, e thonë edhe nga organizata INPO e cila bënë monitorimin e punës së saj.

Albulena Nrecaj nga kjo organizatë thotë se përgjatë monitorimit të tyre, mandate i dytë i kryetarit Ameti lë shumë për të dëshiruar.

Një prej problematikave të shumta, ajo përmend ekzekutimin e buxhetit për gjashtë mujorin e parë të vitit.

“Nëse i referohemi kategorisë buxhetore për investime kapitale, vërejmë se komuna e Prishtinës ka një performancë të dobët. Në 6 mujorin e parë të këtij viti, komuna ka shpenzuar vetëm 5 milion e 302 mijë e 948 euro, ndërsa planifikimi buxhetor për këtë kategori për vitin 2018 është 24 milionë e 954 mijë e 207 euro. Pra komuna gjatë 6 mujorit të parë ka arritur të shpenzojë vetëm 21.25% të buxhetit të planifikuar”, deklaron Nrecaj.

Kjo përformanc e dobët me buxhetin, ajo thotë se ka ndodhur si shkak i vonesave në realizimin e projekteve, lidhjes së kontratave me vonese dhe si rezultat i planifikimit jo të mirë të shpenzimeve.

Kujtojmë se në raportet e Auditimit të cilat i janë bërë kryeqytetit është përsëritur vazhdimisht një problematikë e tillë. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera