Lajme

VV për takimin krerëve të koalicionit: PDK-së tashmë i është bërë vendi në Qeveri, ka koalicion të heshtur

Autori: Gazeta inFokus 22:30 | 23 October 2020

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se përkundër që nuk është bërë publike hyrja e PDK-së në Qeverinë Hoti, tashmë ekziston një koalicion, të cilin siç e ka quajtur ai, të heshtur mes partisë së Kadri Veselit dhe koalicionit në pushtet, shkruan GazetaBlic.

Bulliqi për GazetaBlic ka deklaruar se që nga procesi i rishikimit të buxhetit, sipas tij, “kulaçi” i është ndarë nga koalicioni edhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Prej asaj që është parë deri tash, vazhdimisht edhe këto veprime të subjekteve politike në pushtet, kanë treguar se deri tash kanë treguar se kanë një bashkëqeverisje të heshtur me PDK-në, pavarësisht faktit se kjo ende nuk ka dalë publikisht në opinion. Kjo lidhet edhe me çështjen e rishikimeve buxhetore, ku kulaçi është ndarë i përbashkët mes PDK-së dhe koalicionit qeverisës”, thotë ai.

-Advertisement-

Më tej, deputeti i Lëvzijes Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin e tij se LDK dhe PDK, sipas Bulliqit, kanë qenë gjithmonë bashkë.

“Edhe veprimet në bordet e ndërmarrjeve publike në një far forme shihet se janë në një bashkëlidhje mes veti, sikurse që është edhe ruajtja e pozicioneve të ndryshme të akterëve që i takojnë një subjekti politik në institucione qeverisëse të vendit. Prandaj, krejt këto të lënë me kuptu se tash këta kanë një koalicion të heshtur, por prapë këta gjithmonë kanë qenë në koalicion”, ka thënë ai për GazetaBlic.

Krerët e dy partive më të mëdha të koalicionit, ai i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë mbajtur sot një takim.

Pas këtij takimi, i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjes nëse do të dalë nga koalicioni qeverisës nëse nuk merr postin e presidentit.

Ndërkaq, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mohuar që në takimin e sotëm me Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limaj, të jetë diskutuar për postin e presidentit.

“Nuk kemi diskutuar për presidentin. Kemi parë të nevojshme që të ulemi, të bisedojmë e të përgatitemi për buxhetin. Kjo çështje nuk është mirë të hapet, sepse kemi një president në zyre. Nëse dështojmë të zgjedhim presidentin, të gjithë jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera