Lajme

VV mbledh 45 mijë nënshkrime, nis peticion edhe në sheshet e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 14:56 | 02 June 2020

Pas peticionit online Lëvizja Vetëvendosje sot është vendosur në çdo qytet të Kosovës për të mbledhur nënshkrime me kërkesën për zgjedhje të reja. Deri më tani sipas kësaj partie janë mbi 45 mijë nënshkrime online, ndërsa presin rritje të numrit të nënshkrimeve që po bëhen fizikisht në sheshet e qyteteve të vendit.

Një tendë është vendosur edhe në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet qysh nga ora 10 ditës së martë dhe një numër i madh i qytetarëve janë nënshkruar.

Valdrin Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për KosovaPress se qysh nga ora 10 është vërejtur një fluks i madh i qytetarëve që kanë nënshkruar këtë peticion.

-Advertisement-

Ndonëse nuk ka një afat se sa do të jetë i hapur ky peticion, Ahmeti tha se i njëjti përveç në institucionet vendore do të dorëzohet edhe në ato ndërkombëtare.

“Ajo çka kemi vërejtur sot këtu është që përveç përkrahësve, aktivistëve, anëtarëve e votuesve të VV-së, ka shumë votues e përkrahës të subjekteve tjera politike të cilët gjithnjë e më shumë po e shprehin kërkesën për zgjedhje, pikërisht për faktin se partitë tjera i kanë tradhtuar votuesit e vet, në një formë ia kanë tjetërsua vullnetin e shprehur përmes votës së 6 tetorit. Andaj ne peticionin do ta vazhdojmë derisa të arrijmë t’ia mundësojmë secilit qytetar që të shprehet për zgjedhje të lira përmes peticionit të organizuar nga ne… Sapo të mbërrijmë tek njëfarë limiti ku qytetarët po shprehen me kërkesat e tyre për zgjedhje ne do ta dorëzojmë. Efektet e peticionit nuk mund të themi që do të jenë të menjëhershme, pra në momentin kur mblidhen 400 mijë nënshkrime ne nuk mund të themi të nesërmen do të ndodh diçka, por mos të harrojmë 400 mijë nënshkrime janë më shumë se të gjitha votat e partive politike tjera përveç VV-së”, tha ai.

Duke qenë se peticioni i LVV-së online është kontestuar nga kundërshtarët politik të saj, Ahmeti tha se janë bërë verifikime përmes numrit personal.

Po ashtu, ai tha se një person nëse nënshkruhet edhe online dhe fizikisht në bazë të numrit personal njëri nënshkrim do t’i hiqet.

“Vërtetësia e peticionit nuk varet shumë nga emri personal ose nga email, por varet nga numri personal i cili është numri i letërnjoftimit ose i patentë-shoferit apo pasaportës dhe me atë vërtetohet vërtetësia e një nënshkrimi. Kështu që, besoj që e keni vërejtur edhe në peticionin online numri herë është ngritur e ndonjëherë edhe ka rënë për faktin që numrat nëse nuk kanë qenë të saktë numrat personal atëherë ai është larguar. Ne të gjithë ata që po vijnë këtu po i udhëzojmë që nëse e kanë bërë plotësimin online të mos e nënshkruajnë peticionin këtu, por njëkohësisht nëse dikush e ka plotësuar online dhe e plotëson prapë këtu me numrin personal në njërin nga plotësimet do t’i refuzohet”, tha ai.

Ky peticion është nënshkruar nga shumë qytetarë të vendit, të cilët prisnin në radhë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Një nga nënshkruesit ishte edhe profesori Avni Presheva, i cili u shpreh i zhgënjyer me zhvillimet politike në vend.

“I vetmi doktor i shkencës logjike jam deri sot aty ku flitet dhe shkruhet shqip dhe e kam lutur perëndinë që nuk e kam studiuar drejtësinë, se drejtësia e sodit është sa parti ka aq kushtetuta ka. Në të vërtetë ekziston vetëm një Kushtetutë, duhet me e përfill atë çka duhet e jo me interpretua atë çka nuk duhet. Prandaj, kërkoj dhe shpresoj se do të vije gjenerata që do ta interpretoj kushtetutën ashtu siç është shkruar”, tha ai.

Ky peticion për banoren e Prishtinës Flutura Çitaku, mund të konsiderohet edhe si një lloj referendumi që shpreh vullnetin e qytetarëve.

Është shkelur vullneti politik i qytetarëve të Kosovës, prandaj këtu është një mundësi për të shprehur edhe një herë vullnetin ne si qytetarë për ta vërtetuar atë çfarë ka ndodhur me 6 tetor. Kujtoj se ky mund të konsiderohet edhe si një referendum”, tha ajo.

Zgjedhje ka kërkuar edhe qytetari Shefki Rafuna, i cili tha se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj për mandatarin ka shkelur vetveten dhe popullin e Kosovës.

Rafuna ka thwnw se Gjykata Kushtetuese e ka shkelur vetveten, e ka shkel Kosovën.

“Arsyeja është kjo që jo Vetëvendosja, po populli që e ka votuar VV-në edhe Vjosa Osmanin janë për ndryshime dhe kanë qenë për ndryshime. Që 19 vite ne jemi duke vuajtur, që 19 vite dhe është kjo mënyrë, por në mënyrë paqësore, jo me dhunë se nuk arrihet kurrgjë. Gjykata Kushtetuese e ka shkelur vetveten, e ka shkel Kosovën, e ka shkel popullin e Kosovës”, u shpreh ai.

Këtë peticion për të kërkuar zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i lejohet partisë së dytë të formojë qeverinë e re.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera