Lajme

VV: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranoj targat RKS

Autori: Gazeta inFokus 16:32 | 26 December 2023

Lëvizja Vetënvendosje ka thënë se këmbëngulja e Qeverisë e ka detyruar Serbinë që t’i pranonte targat RKS.

Përmes një video të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ku shfaqet Kryeministri Kurti në foltoren e Kuvendit rreth dy vite më parë.

“Këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranoj targat RKS. Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet. Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

-Advertisement-

Lidhur me këtë deklaratë ka folur sot edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i cili tha se BE-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë për të lejuar lirinë e lëvizjes për automjetet me targa RKS.

Nga Bashkimi Evropian thonë se tani presin hapa të ngjashëm nga Kosova, teksa e shohin këtë vendim si hap që tregon se “është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ky vendim paraqet një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe angazhimet e mëparshme nga dialogu lidhur me lirinë e lëvizjes. Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të stikerasve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Peter Stano në një deklaratë për N1.

Qeveria e Serbisë ka vendosur të hënën që të lejojë që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj.

Vendimin e ka shpalosur drejtori per Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq duke thënë se po e implementojnë një marrëveshje të nënshkruar nga Borko Stefanoviq, tani opozitar serb.

Petkoviq ka thënë se me këtë vendim Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se targat s’janë simbol i shtetësisë sipas tij. Ai ka përmendur edhe pajisjen me targa RKS kohëve të fundit duke thënë se përfaqësuesit e Kishës Ortodokse i përdorin ato.

Petkoviq theksoi se një njoftim se Serbia nuk e njeh Kosovën do të vendoset në të gjitha pikat kufitare dhe administrative.

Sipas tij, ky vendim “nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tekstin e mohimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera