Lajme

VV-ja përplaset me PDK-në dhe AAK-në për diasporën

Autori: Gazeta inFokus 21:15 | 19 November 2020

Diaspora ka përplasur deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi me deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj.

Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet projektligji për zgjedhjet, deputetja Pacolli-Dalipi ka thënë se mundësia që mërgata të votojë pa u penguar është synim i tyre që duhet të përkrahet edhe nga partitë tjera parlamentare.

Ajo ka akuzuar PDK-në dhe partitë tjera parlamentare se po i frikësohen votës së diasporës, andaj edhe po hezitojnë të votojnë ndryshimet që mundësojnë lehtësimin e votimit për mërgatën.

-Advertisement-

“Mundësia që mërgata jonë të votoi në mënyrë të lehtë dhe të papenguar është lajm i mirë për popullin e Kosovës, por do të jetë kërcënim tepër i madh për të korruptuarit, kriminelët dhe deputetët të cilët janë ulur në këto ulëse dhe kundërshtojnë dhe ia mohojnë të drejtën mërgatës për të votuar. Prandaj secili deputet i cili e konsideron veten deputet dhe është betuar para qytetarëve se do të mbrojë interesat e qytetarëve të shtetit të Kosovës do të mbrojë interesat e shtetit duhet të votojë për ndryshimet që mërgata të ketë mundësi të votojë”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri i është përgjigjur deputetes Pacolli-Dalipi, duke thënë se VV-ja e shfrytëzon diasporën vetëm për votë.

“Kjo iniciativë që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje është një iniciativë për me u shfajësua në raport me VV-në për gabimet që i ka bërë të njëpasnjëshme. Pra Lëvizja Vetëvendosje në raport me diasporën ka pasur mundësi të dëshmohet dhe atë nuk e ka bërë. Hapin e parë që e ka bërë është zhbërja e Ministrisë së Diasporës një institucion shumë i rëndësishëm që lidhej edhe me investime strategjike, rrjedhimisht të biznesmenëve tanë që janë të në diasporë. E dyta që VV ka bërë në raport me diasporën, është që unë kam prit që së paku një ministër do të jetë nga diaspora”, tha ai.

Tahiri po ashtu akuzoi Vetëvendosjen edhe për korrupsion.

“Diaspora qe një dekadë kërkon përfaqësim në Kuvendin e Kosovës. Jo qysh me na mundësua me na dhënë votën ma lehtë dhe në fund mos me u marr askush me ta. Dhe për abuzimet dhe vjedhjet ne i kemi parë për 50 ditë në kohë pandemie. Për 50 ditë i kemi parë abuzimet e Arben Vitisë e Albin Kurtit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pra ata janë njerëz që janë nën hetime që është konfirmuar nga Prokuroria Speciale”, tha ai.

Ndërsa pretendimeve të Tahirit menjëherë iu përgjigj deputetja Pacolli-Selimi.

“Po ti vetëm sa tregove që PDK-së nuk i intereson diaspora, prandaj ju nuk keni të drejtë të flisni se cilat janë kërkesat e diasporës. Kërkesat e diasporës së pari janë që t’u lehtësohet mundësia që ata të votojnë. Sa i përket kësaj se kush ka vjedh qytetarët e Kosovës e din mirë se kush e ka vjedh shtetin e Kosovës për 20 vjet me radh. E sa i përket dosjeve në Prokurori është ish-ministri Vitia që i ka dërguar vetë ato dosje dhe ka kërkuar që të shikohen. Prandaj ne jemi shumë të pastër sa i përket asaj”, tha ai.

E në këtë debat u përfshi edhe deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, e cila e akuzoi Vetëvendosjen se po synon të privatizojë diasporën.

“Kur po flitet për diasporën këtu po flitet si me qenë pronë private dhe po tutna që e ka privatizuar Vetëvendosja. E s’po e din se të gjithë kemi familjarë, kemi shoqëri në diasporë dhe që e din shumë mirë realitetin që është në Kosovë. Ata që i njohim ne na votojnë neve. Dhe shumë mirë e kanë pa që gjithë ato turne që kanë qenë, përnime është e vërtetë që prej PDK-së s’ka qenë askush pre AAK-së e LDK-së kanë qenë nga 1 përfaqësues ndërsa VV ka qenë e zëshme pasi kanë qenë me buxhet të shtetit dhe nga 2 përfaqësues kanë qenë në këto takime. Njëkohësisht i kanë shfrytëzuar këto turne për VV-në dhe me sha Qeverinë. Se si e keni menaxhuar shtetin, shyqyr që u pamë një herë dhe populli e pa se çka po ndodh dhe çka jeni. Për një afat aq të shkurt me pas aq shumë afera korruptive, kjo ka ndodh më së shumti në këtë qeveri… Nëse ti po mendon që jemi të korruptuar, a je edhe ti Fitore e korruptuar, a janë deputetët e juaj të korruptuar. Nëse jemi ne, jeni edhe ju. Mos akuzo pa bazë, mos e shfrytëzo foltoren e Kuvendit me akuzua pa bazë, këto akuza janë për prokurori dhe akuzo”, tha ajo.

E kjo bëri që deputetja e VV-së Fitore Pacolli-Dalipi të reagojë përsëri.

“Është interesant se si deputetët e AAK-së dhe PDK-së po i cilësojnë këto vizita si turne për Evropë. Këto nuk kanë qenë shëtitje por kanë qenë pjesë e punës dhe i kam marr shumë seriozisht dhe kam mbajt shënime nëpër secilin nga këto takime. Prandaj mendësia juaj që kur të shkoni jashtë janë turne, janë shëtitje dhe për të bërë shoping, por për ne janë pjesë e punës. Sa i përket kësaj që sa i frikësoheni diasporës, kjo po tregon saherë që ju po flisni. Diaspora është e Kosovës dhe voton për partitë që nuk janë të korruptuara dhe vetëm VV-ja është e pakorruptuar që e përfaqëson me dinjitet”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera